Ndonëse si element pozitiv është identifikuar niveli i ngritur i biodiversitetit nga shumëllojshmëria e florës dhe faunës, ajo rrezikohet nga mbeturinat, trajtimi jo i duhur i ujërave të zeza dhe nga menaxhimi joefikas i zonave të mbrojtura, shkruan Koha Ditore.
Pas tetë muaj pune studiuese në pjesët ndërkufitare të parkut kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” dhe parkut kombëtar malazez “Prokletije”, të premten në sallën e Kuvendit Komunal të Pejës është prezantuar pjesa e parë e rezultatit të projektit “BorN – Borderless Nature.
Biodiversity Protection and Development of Prokletije and Bjeshkët e Nemuna Natural Parks”. Njëkohësisht është prezantuar publikisht për herë të parë edhe vetë projekti “BorN”, që ka si qëllim të përgjithshëm mbrojtjen dhe përmirësimin e biodiversitetit në parqet kombëtare në të dy anët e kufirit, duke nxitur zhvillimin e qëndrueshëm social-ekonomik nëpërmjet bashkëpunimit ndërkufitar në mes institucioneve, organizatave të shoqërisë civile dhe popullsisë.