Anekënd Dukagjinit, për t’ia parë bukuritë

Pejë | 02 Kor 2016 | 14:27 | Nga Faton Osmani

Peizazhet mahnitëse të Bjeshkëve të Nemuna, trashëgimia kulturore e arkitektonike, muzetë e kullat e vjetra shqiptare, ushqimi tradicional, shpellat, shtigjet që përshkohen në këmbë, mbi kalë e biçikleta malore… Këto janë disa nga atraksionet që duhet të shijohen patjetër nga gjithsecili që viziton Pejën e Dukagjinin. Një projekt i mbështetur nga Qeveria Zvicerane synon që këto bukuri të shpalosen e promovohen për vizitorët vendës e ata të huaj, duke nxitur kështu zhvillimin ekonomik të këtij rajoni.

Organizata Swisscontact, e financuar nga Qeveria Zvicerane, në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, kanë organizuar një udhëtim dyditor në vendet turistike të rajonit të Dukagjinit, me qëllim të vetëdijesimit dhe ngritjes së kapaciteteve të gazetarëve lidhur me rëndësinë e sektorit të turizmit për ekonominë e Kosovës.

Kjo bëhet në kuadër të projektit “Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat” (PPSE) i cili fokusohet në zonën e Kosovës Perëndimore, ku viteve të fundit janë bërë mjaft investime. Gjithashtu, është themeluar edhe Organizata për Menaxhimin e Destinacionit “Kosova Perëndimore” me qëllim që t’iu ndihmojë bizneseve turistike.

Edona Kurtolli, nga PPSE, shpjegon se programi fokusohet në dy sektorë: sektorin e përpunimit të ushqimit (konkretisht përpunimin e pemëve dhe perimeve dhe nën sektorët e produkteve pyjore jo nga druri) si dhe sektorin e turizmit. “Të dy sektorët ofrojnë potencial të madh për punësim dhe shfrytëzim të aseteve”, thotë ajo.

“Regjioni i Kosovës Perëndimore ka mjaft produkte turistike, prandaj ne si ‘Siwsscontact’ po punojmë që këto produkte të shfaqen sa më shumë ndaj vizitorëve potencial shqipfolës”, thekson Kurtolli, gjatë një darke mirëseardhjeje për pjesëmarrësit e këtij turi. Darka natyrisht është me ushqime tradicionale. Restoranti që është përzgjedhur – “Kulla e Zenel Beut” është me nam, sidomos për arkitekturën e saj, pasi edhe pas renovimit ka ruajtur veçoritë e kullës së vjetër shqiptare.

Kurtolli tregon se më së shumti investime kanë bërë në Pejë, në bashkëpunim edhe me Komunën. Si për të përligjur namin e “Kullës”, këtu po darkonte dhe kryetari Gazmend Muhaxheri. Por, çuditërisht ai nuk merr mundin t’i përshëndeste mysafirët.

Muzeu Etnologjik me mbi 120 artefakte

Dita e re nis me vizitë qytetit të vjetër të Pejës. Në program janë vizitat në Muzeun Etnologjik, Çarshinë e Gjatë, Xhaminë e Çarshisë dhe Mullirin e Haxhi Zekës.

Muzeu Etnologjik i Pejës është i vendosur në një shtëpi të vjetër qytetare që i takon gjysmës së dytë të shekullit të 18-të. I njohur si Konaku i Tahir Beut, ajo është njëri ndër ekzemplarët më të bukur të shtëpisë së vjetër qytetare.

Shtëpia ishte ndërtuar nga mjeshtërit shqiptarë në qendër të qytetit (ndërmjet objektit të komunës dhe postës), ndërsa në vitin 1960 iu ndërrua lokacioni duke e vendosur në sheshin e tanishëm “Haxhi Zeka”. Kjo shtëpi antike me përbërjen e saj arkitektonike dhe funksionale të strukturës hapësinore-kompozicionale përkojnë me këto tipare të shumë shtëpive mesjetare të Pejës. Këtë lloj ndërtimi e karakterizon kurora e kulmit e punuar nga druri, dritaret harmonikë dhe divanhania e sipërme.

Cicëroni i këtij muzeu, Sefer Lajqi, iu tregon me shumë durim e pasion një grupi nxënësish se në muze ka më tepër se 120 artefakte, duke filluar nga veshjet kombëtare, vegla pune dhe armë të vjetra, të cilat tregojnë historinë e bujshme të kësaj zone.

Në enterierin e shtëpisë ruhen gati të paprekura elementet arkaike, përfshirë dollapët e murit, tavani i drurit, dyert dhe dritaret si dhe dyshemeja prej dërrasave.

Nga veglat e punës më tepër janë të përfaqësuara ato që kanë të bëjnë me përpunimin e leshit, si: furka, shtiza, boshte për tjerrje, çikrikë, gërhanë, vegje, etj. Vend me rëndësi në ekspozitë zënë edhe tekstilet.

Lajqi, i cili me profesion është arkeolog, më me mburrje ua tregon vizitorëve Sektorin e Arkeologjisë që është improvizuar në katin e parë. Disa nga artefaktet arkeologjike, të cilat thotë se i ka mbledhur dhe vetë, shkojnë deri në pesë mijë vjet vjetërsi.

“Qendra e Zonës së Dukagjinit llogaritet shumë e pasur, madje edhe në kohën e lashtë ka pasur ari dhe pasuri të tjera. Në shekullin e III dhe të IV para Krishtit e tërë Perandoria Romake ka mbijetuar nga ari dhe argjendi në këtë pjesë të vendit tonë. Kjo është shumë e rëndësishme t’u tregohet vizitorëve sepse është një veçori që shumë pak vende të botës e kanë”, shpjegon Lajqi.

“Në kuadrin e monumenteve mbivarrore të kohës Ilire, stela dhe cipusi zënë vend me rëndësi. Këto dy eksponate i përkasin shek. II të erës sonë. Janë zbuluar në vitet 1970-të, në lokalitetin arkeologjik pranë Fabrikës së Baterive”.

Çarshia e Vjetër dikur kishte 960 dyqane

E nëse jeni në Pejë nuk bën assesi mos ta vizitoni “Çarshinë e Vjetër”, me dyqanet e saj artizanale. Çarshia paraqet një zonë me trashëgimi kulturore. Përveç kësaj, ajo ka dhe vlera të trashëgimisë, pasi identifikon zhvillimin ekonomik të Pejës. Është ndërtuar gjatë kohës së Perandorisë Osmane në shk. XIV dhe përbëhej nga 4 pjesë (Çarshia e Madhe, Çarshia e Gatë, Okoli dhe Çarshia e Shatërvanit).

Jo shumë moti, këtu kanë qenë 960 dyqane të cilat kanë ushtruar zeje të ndryshme. Edhe tani në Çarshi gjinden disa nga këto dyqane, siç është çeleshepunuesi Fatmir Lata. Por, ai ankohet se dita-ditës kjo zeje po shuhet. “Në ditët më të mira, sikur sot që është ditë pazari shesh dy-tre plisa”, thotë Lata, për Ekonomia Online.

Në mes të Çarshisë së Vjetër gjendet “Bajrakli Xhamia” apo siç njihet tani me emrin “Çarshi Xhamia”, e ndërtuar në vitin 1471. Përveç arkitekturës ndërtimore, karakteristikë e kësaj xhamie, është edhe stilizimi i mureve në kupolat e saj.

Mulliri i Haxhi Zekës ishte fabrika e parë industriale e qytetit

Kompleksi i njohur si “Mulliri i Haxhi Zekës” ndodhet disa minuta ecje në këmbë larg Çarshisë. I ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit XIX, ky mulli ka qenë fabrika e parë industriale e qytetit. Rrota gjigante e mullirit rrotullohej nga uji, kurse teknologjia e përparuar për atë kohë ishte sjellë nga Austria.

Pos pejanëve, ai u ka shërbyer edhe banorëve të Plavës e Gucisë. Mulliri ka punuar deri në vitet e 60-ta të shekullit të kaluar, kurse më 1977 u vu në mbrojtje të shtetit si monument historik.

Por, pronat e Haxhi Zekës ishin tjetërsuar gjatë pushtetit të Serbisë. “Mulliri ka humbur shumë sipërfaqe, pasi dikur ka poseduar 47 ari e tash ka vetëm 10 sish. Nga kjo hise janë ndarë parcela, që më pas janë kthyer në prona private”, thotë Besa Potoqani, nga Drejtoria për Kulturë e Pejës.

Mulliri ishte shkatërruar pothuajse tërësisht gjatë luftës së fundit në Kosovë. Është restauruar dy herë: në vitin 2004 pjesa e mullirit dhe në vitin 2016 pjesa e hambarit. Restaurimi dhe rindërtimi i këtij kompleksi është donacion i Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM) dhe i Komunës së Pejës që kap shumën e rreth 200 mijë eurove në kuadër të projektit “Kosova e Bukur”.

Shtëpia Alpike “Ranch” – kalërim, zjarr e raki të mirë shtëpie

Destinacioni i radhës është Shtëpia Alpike “Ranch”, i vendosur në një pikë të lartë të Rugovës. Nga këtu, shihet si në pëllëmbë të dorës Peja me rrethinë. E veçanta e “Ranchit”, sikur mund të kuptohet nga emri, është ofrimi i kalërimit për mysafirët e saj.

Kjo pushimore dhe restorant është vetëm 2 km larg nga qyteti i Pejës. Shtëpia ka në dispozicion 600 Ha dhe një shteg vrapimi 8 kilometërsh, ku çdo 2 km është i vendosur një furnizues uji. Ka dy pushimore në dispozicion të mysafirëve, ku ju gjithashtu mund të bëni kamp. Kjo pushimore ka stallat e veta me kuaj. Krahas kalërimit, profesionistët ofrojnë edhe mësime për fillestarët.

Këtu organizohen edhe aktivitete të tjera të tilla si ecje në natyrë, shëtitje me biçikletë. Në mbrëmje ndizet një zjarr i madh përreth të cilit ju mund të uleni dhe të shijoni muzikën e mirë. Ushqimi që shërbehet këtu është BIO. Restoranti ofron raki shtëpie të boronicës, uthull molle, lëng boronice ndërsa kanë specialitete të shijshme të qumështit të dhisë.

Via Ferrata – atraksioni më i vizituar

“Via Ferrata”, që përkthehet si Shteg i Hekurt, është një projekti që është ndërtuar në masivin e madh shkëmbor në hyrje të Grykës së Rugovës. Inaugurimi është bërë në tetor 2013. Projekti ka kushtuar rreth 30 mijë euro, por këto para tashmë janë kthyer disafish.

Sipas shoqatës alpiniste “Merimangat e Pejës”, numri i turistëve që e provojnë këtë aktivitet është shumë i madh. “Gjatë vikendit, Kosovën e kanë vizituar tri grupe të pavarura të operatorëve turistikë nga vende të ndryshme të botës. Të gjithë kanë qenë edhe në ‘Via Ferrata’, që e bën atë atraksionin më të vizituar në Kosovë”, shkruan në një postim të bërë rishtas në faqen e kësaj shoqate, që organizon ngjitjen në këtë shteg.

“Kjo rrugë është 450 metra e gjatë dhe ka një lartësi pingule prej 200 metrash. Ndonëse duket e zorshme, atë mund ta përshkojë gjithkush që ka pak përgatitje fizike”, thotë Arian Jusufi, i cili po i shoqëronte si guidë një grup gazetarësh.

Jusufi tregon se sidomos tash me ngrohjen e motit kanë mjaft grupe të organizuara të interesuara që ta përshkojnë këtë rrugë që të jep shumë adrenalinë (dhe pak frikë, sikur e pranojnë shumica). “Ne si guidë, nganjëherë na bie që ta bëjmë këtë rrugë dy herë në ditë”, thotë ai.

Fijet metalike të përdorura për ndërtimin e “Via Ferratas” thuhet se janë të testuara dhe mëse të sigurta. Për një përjetim sa më të mirë të shtegut organizimi bëhet në grupe, nga 5 deri në 10. Pagesa është 15 euro për person, ku përfshihen edhe pajisjet për ngjitje.

Bukuria e radhës – Boga

Rruga piktoreske përgjatë kanionit të Bjeshkëve të Rugovës të shpie në qendrën e pushimit veror dhe skijimit në Bogë. Fshati shquhet për bukurinë e rrallë mes majave të larta dhe bimësisë unike.

Krahas skijimit dimrit, vendi ofron mundësi për t’u marrë me aktivitete të ndryshme edhe verës. Shoqata “Biçiklistët pa Kufij” ka sjellë me kamion, herët në mëngjes, 24 biçikleta malore. Do të lëshohemi nga Boga në Pejë. Një shteg i gjatë 32 kilometra dhe i cili kalohet për 2 orë e gjysmë, me ndalesa për pushim.
Nuk duhet shumë përgatitje fizike, pasi pothuajse vazhdimisht është teposhtëze dhe nuk ke nevojë të pedalosh shumë.

Por, “Biçiklistët pa Kufij” organizojnë dhe udhëtime më sfiduese dhe nëpër terrene malore. “Vizitorët preferojnë të shkojnë edhe drejt pikave të trashëgimisë kulturore, por edhe kah bukuritë e tjera natyrore, si Ujëvara në Radavc e Burimi në Istog”, thotë Erton Deçani nga shoqata “Biçiklistët pa Kufij”, e cila jep biçikleta për shfrytëzim, për grupet e interesuara.

Shpella e Radacit daton nga koha e neolitit

E të jesh në Bjeshkët e Rugovës, assesi nuk bën pa e vizituar burimin e Drinit të Bardhë në Radac. Një shëtitore është ndërtuar përgjatë rrjedhës së lumit. Afër janë hapur dhe disa restorante dhe kjo mjafton që shumë qytetarë nga e gjithë Kosova, por më së shumti nga treva e Dukagjinit, t’ia mësyjnë këtij vendi për të kaluar një pasdite mes natyrës.

Ndërsa nga sivjet, ka dhe një arsye më shumë për ta vizituar këtë vend, pasi afër është hapur dhe shpella që është pagëzuar “Bukuroshja e Fjetur”. Shpella është e gjatë 2 mijë e 100 metra. Por aktualisht për vizitorët janë të kalueshme tri galeri, në hyrje.

“Galeria më e bukur e kësaj shpelle gjendet në hyrje të saj, janë vaskat apo basenet ato të cilat janë të gjata deri 70 metra, kurse thellësia e tyre është rreth 4 metra”, thotë Arbërita Kollçaku, cicerone në këtë shpellë.

Ajo iu shpjegon vizitorëve se kundërmimi i pazakontë po vinte nga jashtëqitjet e lakuriqëve të shumtë që e popullojnë shpellën.

Pjesa më e bukur e shpellës vlerësohet se është “Galeria e Vaskave”, që janë të formuara nga uji që ka gërryer për mijëra vjet shkëmbin gëlqeror.

Fare pranë hyrjes për vizitorë, shpella ka dhe një hyrje tjetër, e cila hë për hë nuk është e hapur për t’u vizituar. Këtu janë gjetur mbetje arkeologjike që dëshmojnë se shpella ka qenë e banuar që nga koha e neolitit.

Projekti i punimeve në Shpellën e Radacit, përfshirë rregullimin e shtigjeve të ecjes, është bashkëfinancuar nga “Swisscontact”, kurse implementues i projektit është Shoqata “Aragonit”, e specializuar në speologji.

“Investimi në shpellën e Radavcit është rreth 25 mijë euro dhe ky projekt ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e turizmit dhe krijon një qasje të re turistike në Zonën e Radavcit”, kanë thënë zyrtarë të Komunës.

Kullat

Karakteristikë e Dukagjinit janë dhe kullat. Disa prej tyre janë restauruar dhe mund të vizitohen kundrejt një pagese pothuajse simbolike, kurse të tjera janë shndërruar në bujtina për vizitorët. Këtu servohet ushqim tradicional.

Ndër kullat më të veçanta të Dukagjinit është ajo e Osdautajve në Isniq. Është e vetmja që ka katër kate.

Në katin e sipërm gjendet Oda e Burrave me të gjitha veçoritë e ruajtura origjinale.

Ciceroni Rexhep Maksutaj, një profesor i historisë nga Isniqi, tani në pension, tregon se ajo është ndërtuar në fillim të shekullit 18.

Kati i parë i cili në atë kohë përdorej si ahur për kafshët, tani është shndërruar në muze etnologjik. Aty janë rreth 650 eksponate, që janë mbledhur edhe nga shtëpitë e tjera të këtij fshati.

Shumë këso shtëpish të moçme shqiptare ka edhe në Junik. Ajo e Ramë Zyberit është ndër më te vjetrat; besohet se është ndërtuar më 1860.

Kjo kullë ka shërbyer si vend i mbledhjes dhe strehimit të personaliteteve të mëdha gjatë historisë.

Deri tashti, atë e kanë trashëguar pesë breza familjarë. Së fundmi, këtu është hapur një bujtinë me restorantin që ofron ushqime tradicionale, në një ambient sikur jetonin dikur familjet shqiptare.

Blerina Sallaj, koordinatore e “Qendrës Rajonale të Turizmit në Dukagjin”, thotë se kjo ndikon në gjenerimin e të ardhurave për banorët e Junikut. Në veçanti, po ndihmon në punësimin e grave, ngase ushqimi sigurohet përmes dy organizatave të grave në këtë komunë.

E drejtuesit e “Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat” thonë se pikërisht ky është qëllimi i projektit të tyre – krijimi i punësimit në sektorin privat, sidomos për të rinjtë dhe gratë.

(Fotot: Besnik Latifi)

Të ngjashme