Ekzekutivi i Komunës së Ferizajt ka nisur procedurat për ndërrimin e dhjetëra drejtorëve nëpër shkolla, të cilët deri tashti kanë shënuar performancë mjaft të mirë në menaxhim dhe në udhëheqje të institucioneve shkollore. Në këtë proces nuk është përfillur as barazia gjinore.
Derisa shumica e këtyre shkollave deri tashti janë udhëhequr nga gratë, në vend të tyre janë vendosur burra, shkruan sot “Koha Ditore”.
Performancë të mirë për dy mandate ka shënuar drejtoresha e shkollës fillore “Tefik Çanga” , Ganimete Konjufca – Kupina, e cila tashmë është transferuar si zëvendësdrejtoreshë në shkollën “Ahmet Hoxha”, pastaj me performancë të mirë është larguar edhe drejtoresha e shkollës “Ganimete Terbeshi”, Zymryte Berisha, e cila tashmë është transferuar si mësimdhënëse në shkollën “Tefik Çanga”.
Ndryshime të tilla kanë ndodhur edhe në shkollën “Ramadan Rexhepi” në Sojevë dhe në disa shkolla të tjera, derisa komuna ka sistemuar militantë të LDK-së. (Koha DItore)