Kur Christa Deguchi ndërroi shtetësinë e Japonisë me atë të Kanadasë, ajo hoqi dorë nga kombi më i suksesshëm në historinë e sportit të saj – xhudo – në favor të një shteti që kurrë nuk kishte fituar medalje të artë olimpike.
Kampionia botërore për juniore me ekipin e Japonisë në vitet 2013 e 2014, xhudistja e kategorisë deri në 57 kilogramë tash ish-koleget do t’i ketë rivale, në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” në horizont, shkruan sot Koha Ditore.
“Nuk ka shumë xhudistë që janë larguar nga Japonia për të garuar për një shtet tjetër, kështu që ishte paksa e çuditshme”, thotë Deguchi. “Por, babai im është nga Kanadaja dhe jam gjysmëkanadeze. Kështu që, kam menduar se do të ishte mirë nëse garoj për një shtet tjetër. Kam dashur të garoj për Kanadanë”.
E lindur në Nagano, shtëpia e majmunit të dëborës dhe disa prej tempujve më ikonikë të Japonisë, Deguchi me xhudo filloi të merret në moshën trevjeçare. Gjyshi e saj ishte frizer dhe në mesin e klientëve të rregullt kishte disa prej mësuesve të njohur të xhudos.