Gjykata Themelore në Pejë ka refuzuar dje kërkesën e Prokurorisë lidhur me caktimin e masës së paraburgimit ndaj xhudistit kosovar, Akil Gjakova, si të pabazuar. Gjyqtari i procedurës paraprake ka nxjerrë aktvendim që ndaj Gjakovës të caktohet masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, në kohëzgjatje prej 30 ditësh, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka siguruar vendimin e gjykatës dhe arsyetimin për refuzimin e masës së paraburgimit, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Dhuna në familje.
Sipas aktvendimit, pas shqyrtimit dhe vlerësimit të kërkesës së prokurorit, deklarimeve të palëve dhe shkresave të lëndës, gjykata ka gjetur se kërkesa për paraburgim ndaj Gjakovës si masa më e rëndë është e pabazuar dhe ndaj tij është e mjaftueshme të caktohet masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.
Në seancën dëgjimore, Gjakova ka deklaruar se “Unë asnjëherë nuk kam ushtruar dhunë psikike dhe as dhunë fizike ndaj bashkëshortes time. Kërkoj nga gjykata që të mbrohem në liri dhe të mos shkoj në paraburgim edhe për arsye se është e domosdoshme të vazhdoj me ushtrimet pasi çdo humbje e ditës është e madhe për mua”.
Gjykata ka vlerësuar se nuk qëndron pretendimi i prokurorisë se ekziston rreziku i arratisjes së Gjakovës, pasi i njëjti nuk i është shmangur organeve të ndjekjes penale, është dorëzuar në Polici dhe po ashtu nuk është recidivist.
“…duke marrë parasysh peshën e veprës penale e cila i vihet në barrë, fakti se i njëjti nuk është arratisur dhe nuk i është shmangur organeve të ndjekjes penale mirëpo i pandehuri në kohën kur është kërkuar nga policia, më datë 13. 04.2024, ka qëndruar në Republikën e Shqipërisë, ku ka bërë një vizitë – konsultë mjekësore pranë klinikës …., çka vërtetohet në bazë të shkresës së nënshkruar dhe të vulosur nga klinika, faktin se i njëjti është dorëzuar në Polici në pikën kufitare në Vërmicë më datë 16.04.2024, ku edhe është arrestuar, ku për dorëzimin e të njëjtit sipas deklarimit të mbrojtësit të pandehurit av. Asdren Mekaj, i cili e kishte njoftuar Policinë se i pandehuri do të dorëzohet më datën 16.04.2024 ndërmjet orës 21:00-22:00. Faktin se i pandehuri nuk është recidivist nuk ka dënime penale, çka vërtetohet nga evidenca qendrore penale në Republikën e Kosovës”– thuhet ndër të tjera në arsyetim.