Gjatë javës që lamë pas, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka bërë një deklaratë nga Beogradi që ka ngritur reagime të shumta në vend.
Lajçak ka thënë se Kosova duhet të ndryshojë Kushtetutën në mënyrë që dy shtetet të dakordohen edhe për Asociacionin, duke shtuar se e njëjta nuk është Bibël të mos ndryshohet.
Për këtë kërkesë të Lajçak është pyetur në emisionin e mëngjesit në ABC News, e që është transmetuar drejtpërdrejtë edhe në T7, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
“E para unë nuk jam këtu për t’i dhënë mend qeveritarëve të Kosovës. Unë nuk jam thjesht kryetar i opozitës, por edhe kryeministër i ardhshëm, dua të deklaroj këtë, që aksi i politikës rajonale të Tiranës duhet të korrigjohet me shpejtësi. Politika jonë do të jetë në mbështetje të plotë”, thotë ai, teksa pyetet për kërkesën e Lajçak.
Ai shton se pakoja e Ahtisarit ka qenë kompromisi kombëtar që ka bërë Kosova në raport me Serbinë.
“Personalisht kam deklaruar se paketa e Ahtisarit shtë kompromis kombëtar dhe është kompromisi më i madh i arrirë, përpjekjet tjera nuk e ndihmojnë Kosovën-Serbinë dhe integrimin evropian. Hapi i parë edhe më i rëndësishëm është njohja reciproke, kryeministri Hoti ka mbështetjen time të plotë, çdo hap që cenon integritetin apo sovranitetin e Kosovës e qon të gjithë rajonin prapa dhe shkatërron vite të investimit amerikan në Ballkan”, ka thënë ai.