Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën në seancën fillestare të akuzuarit Enes Ay dhe Hajrullah Brnçanin, janë deklaruar të pafajshëm lidhur me vrasjen vrasjen e A.TH.
Deklarimin rreth fajësisë të njëjtit e kanë bërë pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurori, Genc Nixha.
Të pyetur nga ana e kryetares së trupit gjykues Raima Elezi lidhur me pranimin e fajësisë, të akuzuarit Ay dhe Brnçanin deklaruan se nuk pranojnë fajësinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mbrojtësi i të akuzuarit Brnçanin, avokati Nazmi Mustafi, kërkoi nga gjykata që të vendosë lidhur me ligjshmërinë e paraburgimit dhe i propozon gjykatës që në këtë seancë të urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të akuzuarit Brnçanin, me arsyen se dihet pesha e veprës që ai ka kryer.
Ndërsa, prokurori Nixha ka kundërshtuar propozimin e avokatit Mustafi, duke thënë se i akuzuari është i dyshuar dhe i akuzuar për 25 vepra penale, të cilat janë evidentohen në raportin e të kaluarës së tij kriminale.
Edhe avokati i palës së dëmtuar, Esat Gutaj, ka kundërshtuar propozimin e avokatit Mustafi, me arsyen se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se Brnçanin mund të jetë bashkëkryerës, ku viktima është sulmuar në automjetin e tij dhe se viktima është qëlluar në lagjen “Bazhda Hane”.
Kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi ka kundërshtuar propozimin e avokatit Mustafi lidhur me ndërprerjen e masës së paraburgimit.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të datës 15 nëntor 2024, Enes Ay akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, kurse Hajrullah Brncanin akuzohet për kryerjen e veprave penale “Mosdhënia e ndihmës” dhe “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.
Tutje, në aktakuzë thuhet se më 6 korrik 2024, në Prizren i akuzuari Enes Ay me anë të mjetit të rrezikshëm i shkakton lëndim trupor personit tjetër dhe për pasojë i shkakton vdekjen viktimës A.TH.
Sipas aktakuzës, tani viktima A.TH dhe i akuzuari Ay takohen paraprakisht, ku TH. i kërkon të akuzuarit telefonin me qëllim që të njoftojë shokun e tij, të akuzuarin Brncanin.
Tutje, në aktakuzë thuhet se pas ardhjes së tij, i akuzuari Ay ulet në ulësen e pasme të automjetit, ndërsa viktima në ulësen e përparme. Pas një konfrontimi verbal mes njëri-tjetrit, ata dalin nga vetura, me c’rast i akuzuari duke përdorur një mjet të mprehtë, e godet viktimën në pjesën e përparme të këmbës së djathtë, duke i shkaktuar plagë therëse. Si pasojë e shokut hemorragjik, viktima ndërron jetë.
Me këto veprime Enes Ay ngarkohet me kryerjen e veprës penale “Lëndim i rëndë trupor” nga neni 186, par.5 lidhur me pas.3, pika 3.2 lidhur me par.2, pika 2.1 të Kodit Penal.
Ndërsa, sipas aktakuzës i pandehuri Brnçanin, më 6 korrik 2024, nuk i ofroi ndihmë personit, jeta e të cilit ishte në rrezik të drejtpërdrejtë, edhe pse kishte mundësi ta bënte pa rrezik të madh për veten, pasi ishte duke e bartur viktimën A.TH në veturën e tij.
Aty thuhet se i akuzuari Brnçanin e dinte se viktima ishte plagosur rëndë dhe përkundër kësaj, nuk e dërgon në një institucion shëndetësor dhe e lë atë të dalë nga vetura, duke e lënë në rrugë, ku si pasojë e plagëve të marra, përkatësisht shokut hemorragjik, viktima ndërron jetë në QKUK.
Me këto veprime i akuzuari Brncanin ngarkohet me kryerjen e veprës penale “Mosdhënia e ndihmës” nga neni 188, par.4 lidhur me par.1 të KPPK-së.
Tutje, aktakuza e ngarkon të pandehurin Brnçanin se me datën e cekur si më lartë, akuzohet se edhe pse ka qenë në dijeni për identitetin e kryesit të veprës penale për lëndim të rëndë trupor edhe pse ka qenë në dijeni si dëshmitar okular nuk i ka njoftuar organet kompetente kompetent.
Për këtë veprim akuzohet se ka kryer veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre” nga neni 378, par.1, pika 1.3 të KPRK-së.