Arbër Gashi, Ajet Kuqi, Xhevdet Cacaj, Idriz Gashi, Sherbim Berisha dhe Isuf Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzën e fajdesë. Deklarimi i tyre është bërë më 12 maj në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog.
Pas deklarimeve, prokurorja e shtetit, Sadije Muriqi, në fjalën hyrëse të shqyrtimit gjyqësor, tha se fillimisht do të dëgjohet i dëmtuari Rifat Jasiqi, i cili pritet të sqarojë mënyrën e kryerjes së veprës penale, kohën, shumën e marrë dhe pagesat që i janë bërë për fajde nga secili i të akuzuarve.
Sipas prokurores, përveç dëshmisë së Jasiqit, do të dëgjohen edhe dëshmitarët Valbona Kelmendi, Kismete Rexhepi dhe Shkumbin Jasiqi. Ajo shtoi se do të administrohen edhe prova të tjera materiale të bashkangjitura aktakuzës.
Në mesin e provave, sipas Muriqit, përfshihet një transkript i një bisede të regjistruar mes të akuzuarve dhe të dëmtuarit, ku pretendohet se konfirmohen takimet dhe shumtat e hollave të dhëna në emër të fajdes. Po ashtu, u përmend një fletore me numër 3, e siguruar gjatë një bastisjeje në shtëpinë e të dëmtuarit, në të cilën, sipas saj, janë mbajtur shënime për shumën e paguar nga secili i akuzuar, të nënshkruara edhe nga vetë të akuzuarit.
Prokurorja Muriqi deklaroi se përmes administrimit të këtyre provave do të vërtetohet se të pandehurit kanë kryer veprime konkrete që përbëjnë elementet e veprës penale të përshkruar në aktakuzë.
Me deklarimet e prokurores u pajtua edhe i dëmtuari Rifat Jasiqi, shkruan në procesverbalin e seancës që është siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.
Ndërkohë, avokati i të akuzuarit Arbër Gashi, Gzim Kollçaku, deklaroi se do të vërtetohet pafajësia e klientit të tij, duke argumentuar se pikat e aktakuzës janë në kundërshtim me provat materiale.
Edhe mbrojtësit e të akuzuarve Ajet Kuqi, Xhevdet Cacaj, Idriz Gashi, Sherbim Berisha dhe Isuf Thaçi deklaruan se akuzat e prokurorisë nuk qëndrojnë dhe se pafajësia e klientëve të tyre do të vërtetohet gjatë procesit.
Gjatë seancës së shqyrtimit gjyqësor, i dëmtuari Rifat Jasiqi refuzoi të japë deklaratë, duke thënë se nuk është i gatshëm të dëshmojë. Ai sqaroi se ka kaluar një kohë e gjatë nga rasti dhe se nuk ka qenë i njoftuar për seancën deri në momentin kur është sjellë nga policia në gjykatë.
“Për këtë seancë nuk jam i gatshëm të deklarohem, sepse ka kaluar një kohë e gjatë prej këtij rasti. Gjithashtu, nuk kam qenë i njoftuar për këtë seancë deri kur më solli policia sot në gjykatë. Megjithatë, jam i gatshëm që në një seancë tjetër, pasi të angazhoj avokat, të jap dëshminë time”, deklaroi Jasiqi para trupit gjykues.
Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 13 korrik 2018, të akuzuarit ngarkohen për veprën penale të fajdesë, në dëm të dëmtuarit Rifat Jasiq.
Sipas aktakuzës, G.D., akuzohej se në vitin 2015 kishte shfrytëzuar gjendjen ekonomike të dëmtuarit Rifat Jasiq, duke kontraktuar kamatë jopropercionale në këmbim të hollave. Sipas akuzës, i pandehuri i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 90 mijë euro me kamatë prej 5% në muaj.
Ndërsa sipas dispozitivit të dytë, D., akuzohej se i kishte dhënë shumën prej 23 mijë euro me kamatë prej 10% në muaj dhe pasi i dëmtuari nuk e paguan në tërësi kamatën, i pandehuri ia shton borxhin bazë në shumë prej 27 mijë euro dhe kamatën prej 7 mijë euro.
I pandehuri Arbër Gashi akuzohet se në Deçan, në vitin 2014 dhe vitin 2015, i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 4 mijë euro me kamatë 10 % në muaj dhe shumën prej 17 mijë euro në këmbim të kamatës prej 10% në muaj.
I pandehuri Ajet Kuqi akuzohet se në vitin 2016, të dëmtuarit i kishte dhënë shumën prej 10 mijë euro me kamatë mujore prej 8% në muaj.
I pandehuri Xhevdet Cacaj akuzohet se në vitin 2015, të dëmtuarit ia kishte dhënë me fajde shumën prej 5 mijë euro me kamatë prej 7% në muaj, ndërsa në vitin 2016 akuzohet se i kishte dhënë përsëri të dëmtuarit shumën prej 2 mijë euro me kamatë mujore prej 10% . Ndërsa sipas dispozitivit të tretë, i njëjti akuzohet se e kishte ngarkuar të dëmtuarin me 15 % kamatë mujore, për të hollat e dhëna në shumë prej 6 mijë euro në muaj.
I pandehuri Idriz Gashi akuzohet se më 2016, të dëmtuarit i kishte dhënë hua me fajde në shumë prej 6 mijë euro, me kamatë prej 15% në muaj.
I pandehuri Përparim Rexhepi akuzohet se i jep të dëmtuarit shumën prej 15 mijë euro, me kamatë mujore prej 6%.
I pandehuri Shërbim Berisha akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 15 mijë euro, me kamatë mujore prej 5% në muaj apo 750 euro në muaj. Tutje, i pandehuri Blerim Thaqi akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 15 mijë euro, me kamatë mujore prej 3 % në muaj.
I pandehuri Isuf Thaqi akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit në periudha të ndryshme kohore shumën prej 20 mijë euro, me kamatë prej 5% në muaj. Kurse, i akuzuari Qamil Pajaziti akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 4 mijë euro, me kamatë mujore prej 7.5%, përkatësisht nga 300 euro në muaj.
Me këto veprime, ata akuzohen se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Fajdeja”, nga neni 343, paragrafi 1 dhe lidhur me nenin 81 të KPRK-së.
Ndryshe, në këtë rast akuzohej edhe L.K., mirëpo për të njëjtin kishte pushuar procedura penale për shkak se ka ndërruar jetë. Sipas aktit akuzues, ai akuzohej se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 10 mijë euro me kamatë mujore prej 4% në muaj, kurse pas pagesës nga i dëmtuari të kamatës në shumë prej 1 mijë e 200 euro, ai ia kishte rritur përqindjen në 5% në muaj, ku i njëjti për periudhën prej 12 muaj paguan 500 euro në muaj në emër të kamatës.