Deklarohen të pafajshëm të akuzuarit për mashtrim me vota, për njërin veçohet procedura

Prishtinë | 12 Qer 2018 | 15:14 | Nga

Të akuzuarit për mashtrim në votime, Mehmet Kastrati, Miftar Hasani, Qëndresa Musa, Halil Halili, Bardhyl Musa dhe Ujup Gashi, janë deklaruar të pafajshëm, të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në seancën fillestare, të akuzuarit kanë deklaruar se nuk ndihen fajtorë për veprën penale që u është vënë në barrë.

Gjykatësi i vetëm i trupit gjykues, Arben Hoti, ka deklaruar se për të akuzuarin tjetër në këtë rast, Mensur Gashi, bëhet veçimi i procedurës, me arsye se në bazë të verifikimit të vendndodhjes së tij, gjykata është njoftuar nga Policia e Kosovës se ai gjendet jashtë shtetit.

Prokurori Ilaz Beqiri, ka deklaruar se janë gjetur parregullsi dhe kjo sipas tij, vërtetohet nga raporti i auditimit të kutisë së votimit.

Ai ka përmendur se kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, kishte pasur 138 e vota, e të njëjtit i ishin shkruar 169.

Gjykatësi Hoti, ka udhëzuar palët për të drejtën e tyre për të paraqitur kundërshtimet e provave dhe kërkesat për hudhje të aktakuzës, për të cilat gjykata do të marr aktvendim brenda afatit të caktuar ligjor, raporton betimiperdrejtesi.com.

Sipas aktit akuzues të përpiluar në vitin 2012, të akuzuarit më 12 dhjetor të vitit 2010, gjatë ditës së votimeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, në qendrën e votimit nr.181E/01D, në shkollën fillore “Ai Hadri”, që gjendet në fshatin Katunishtë në Podujevë, të akuzuarit kanë kryer veprën penale  “mashtrimi në votime”.

Aktakuza thotë se ata me qëllim që të ndikojnë në rezultatet e votimeve, në cilësinë e komisionerëve, e në bazë të marrëveshjes paraprake kanë falsifikuar rezultatet e zgjedhjeve në vendvotimin e lartcekur.

Sipas aktakuzës, gjatë numërimit të votave të akuzuarit kanë manipuluar me votat e votuesve, në atë mënyrë që kandidatët e ndryshëm kanë marrë 1082 vota dhe të njëjtat iu kanë numëruar kandidatëve të preferuar të tyre brenda për brenda atij subjekti politik.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme