Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Zafir Berisha, është arrestuar pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”. Pas arrestimit, i njëjti është deklaruar për Frontal të t7, ku ka treguar se si ka ndodhur rasti.
Ai tha se nuk është e vërtetë që ka penguar ndonjë zyrtar policorë, por një tiketë dënimi i është shqiptuar derisa e kishte parkuar veturën para Shoqatës së Veteranëve. Por, sipas Berishës, ai nuk ishte i vetmi që e kishte parkuar veturën aty, por i vetmi që u gjobit.
“Nuk është e vërtetë që kam penguar ndonjë zyrtar policor, por për disa ditë rresht dikush nga Policia para Shoqatës së Veteranëve më vendos tiketë denimi për parking edhe pse dhjetëra vetura tjera të parkuara nëpër parking e trotuare e më keq se e imja ishin të parkuara dhe nuk kishin tiketa dënimi. Tipin në fjalë nuk e njoh por veprimet e tij më bëjnë të dyshoj se kanë qenë provokuese dhe me qëllim për të cilin pres përmes organeve të drejtësisë ta sqaroj sepse si kam borxh me ardhe me m’çit gaz pa arsye”, thuhet në reagimin e Berishës dërguar në adresë të t7.
“Kjo është një gënjeshtër e pastër, unë jam mësuar me pallavra të kësaj natyre, natyrisht që unë kam rënë pre e një provokimi të një viktime të propagandës që bëhet ndaj njerëzve të ish- UÇK-së dhe nuk e kam as idenë se çka ka ndodhur”, ka thënë ai në Frontal të t7.
“Unë prita me ma shkru tiketën dhe e gjuajta nën makinë. Faktikisht kjo ishte e gjitha, gazi lotsjellës e me radhë. Më pas kam shkuar në Polici dhe ende jam aty”, tha Berisha.