Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ende nuk ka marrë ndonjë dokument zyrtar nga Republika e Surinamit, nëse ky vend e ka tërhequr njohjen e Republikës së Kosovës. Një vendim i tillë eventual nuk është konfirmuar deri më tash as nga Qeveria e Surinamit, përderisa i vetmi që ka deklaruar këtë “tërheqje të njohjes” është shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq.
Por, a do të paraqisnin probleme tërheqjet eventuale të njohjes së Kosovës nga vende të caktuara që tashmë e kanë njohur atë?
Në këtë pyetje, me shkrim është përgjigjur për Radion Evropa e Lirë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie.
“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Kosovën është e palëkundur dhe e pandryshueshme. Fakti i pavarësisë së Kosovës është i pakthyeshëm”.
“Ne u bëjmë thirrje vendeve, të cilat ende nuk e kanë njohur formalisht këtë fakt, ta bëjnë një gjë të tillë dhe duke vepruar kështu, të ndikojnë në garantimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe të ndihmojnë në ruajtjen e një Evrope të tërë, e cila do të jetë e lirë dhe në paqe. Të dyja, si Kosova ashtu edhe Serbia, duhet të përqendrohen në rezultatin final dhe të arrijnë marrëveshje mbi atë që njihet si normalizim i marrëdhënieve. Kjo kërkon kompromise në të dy anët”, ka thënë ambasadori Delawie.
Ndërkaq, Jetlir Zyberaj nga kabineti i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se “tërheqja e njohjes” së Republikës së Kosovës nga Republika e Surinamit, e cila nga autoritetet e Beogradit pretendohet të ketë ndodhur, nuk është konfirmuar nga autoritetet e shtetit të Surinamit.
“Ne nuk kemi kurrfarë konfirmimi zyrtar nga shteti i Surinamit dhe as nga përfaqësuesit e këtij shteti në Uashington apo Nju Jork, për një veprim të tillë. Kështu që, përderisa nuk ka kurrfarë informacioni zyrtar, për ne ngelet vetëm një tendencë e Serbisë për të përfituar për nevoja të tyre politike. Por, të them të drejtën, këto përpjekje nuk i trajtojmë shumë seriozisht. Ne e shikojmë punën tonë dhe kemi agjendën tonë të fuqizimin e bërjes së shtetit”, ka thënë Zyberaj.
Të martën, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq kishte deklaruar për mediat në Beograd se Qeveria e Surinamit e kishte informuar Serbinë se “e ka tërhequr njohjen” e pavarësisë së Kosovës. Ai madje mediave u ka prezantuar një dokument, me të cilin, sipas Daçiqit, Republika e Surinamit e njofton Ministrinë e Jashtme të Serbisë, por edhe Ministrinë e Jashtme të Kosovës, se e “ka tërhequr njohjen për Kosovën”.
Një dokument i tillë eventual, në adresën e institucioneve të Kosovës nuk ka arritur.
Deri më tash, Qeveria e Surinamit, nuk ka dhënë ndonjë deklaratë publike, për të sqaruar nëse ka tërhequr ose jo njohjen për Kosovën.
Kërkesën për një sqarim të tillë e ka bërë edhe analisti dhe publicisti i njohur britanik, Tim Judah.
“Thirrje Qeverisë së Surinamit… a mund ta konfirmoni se keni tërhequr njohjen e Kosovës”, ka shkruar Judah, të martën, në rrjetin social Twitter.
Republika e Surinami e ka njohur pavarësinë e Kosovës më 8 qershor, 2016. Ky vend ndodhet në Amerikën Jugore, me sipërfaqe prej 163.820 kilometrash katrorë dhe ka mbi 550 mijë banorë