Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që sa ma parë të formojnë institucionet e vendit.
Përmes një video të shkurtër, diplomati amerikan ka thënë se janë bërë rreth dy muaj e gjysmë që kur janë mbajtur zgjedhjet, dhe se kjo është periudhë e gjatë që Kosova të mos ketë Qeverinë dhe institucionet e saj.
Ai ka ftuar deputetët që ta kuptojë “dhe zbatojnë përgjegjësinë e tyre ndaj qytetarëve të Kosovës, të cilët i kanë zgjedhur ata, që të formojnë Qeverinë sa më parë që të jetë e mundur”.
“Ka shumë çështje me rëndësi që duhet të trajtohen, dhe për këtë nevojitet një Qeveri,” ka thënë ambasadori amerikan.
Aktualisht, vendi ndodhet në një krizë politike meqë koalicioni PAN, si fitues i zgjedhjeve, nuk po arrin të sigurojë numrat e nevojshëm për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, për të vazhduar më tutje me zgjedhjen e Qeverisë. Bazuar në një vendim të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, koalicioni më i madh në Kuvend ka të drejtë ekskluzive që të zgjedhë një kandidat nga radhët e saj për këtë post.
Koalicioni PAN ka thënë se nuk i ka ende 61 votat, por janë zotuar se do ta sigurojnë mbështetjen së shpejti.
Një krizë e ngjashme politike kishte ndodhur pas zgjedhjeve të vitit 2014, dhe gjërat kishin filluar të lëvizin pas një deklarate të ish-ambasadores amerikane, Tracey Ann Jacobson.
https://www.facebook.com/kosovo.usembassy/videos/2089094324450045/