Delawie: Korrupsioni shkatërron besimin e qytetarëve në shtet

Prishtinë | 06 Dhj 2017 | 16:33 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Greg Delawie, gjatë një aktiviteti në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit, ka thënë se korrupsioni shkatërron besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe në shtetin e tyre.

Duke folur në debatin për progresin dhe rrugën përpara të Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Delawie ka rikujtuar se sistemi i drejtësisë ka ndikim në jetën e çdo personi.

“Të gjithë në këtë sallë janë të informuar që korrupsioni shkatërron besimin e qytetarëve në shtetin e tyre. Njerëzit çdo ditë po e kundërshtojnë këtë duke i shtyrë përpara reformat”, theksoi ambasadori amerikan, raporton Ekonomia Online.

Në vazhdim, Delawie ka vlerësuar se Këshilli Gjyqësor ka arritur një integrim të rëndësishëm në veri, duke shtrirë qasjen për të gjithë qytetarët. E kjo, sipas tij, është në vetvete një aktivitet kundër korrupsionit.

“Para një muaji, ju arritët një arritje të madhe siç është shtrirja e qasjes në drejtësi në veri të Mitrovicës, duke mundësuar një sistem të barabartë”.

Delawie po ashtu përmendi si përparim shtimin e numrit të vendimeve gjyqësore të publikuara në 3 000 gjatë gjashtë muajve të fundit. “Dhe presim që në vitin 2018 të publikohen 100% të gjitha vendimet për rastet”.

Në ngjarjen e sotme të organizuar nga KGjK-ja është diskutuar për reformat aktuale në sistemin e drejtësisë, reformat e premtuara si dhe i janë adresuar drejtpërdrejt gjyqësorit.

Nehat Idrizi, kryesues i KGjK-së, tha se sistemi i drejtësisë duhet të jetë i qasshëm dhe i paanshëm për të gjithë.

“KGjK-ja është e dedikuar për promovimin e sundimit të ligjit”, theksoi Idrizi, duke falënderuar Programin e Forcimit të Sistemit të Drejtësisë i financuar nga USAID-it për përkrahjen në këtë qëllim.

Ai foli për përparim në shtimin e zgjidhjes së rasteve gjyqësore dhe transparencë.

“Shkalla e spastrimit të lëndëve është 135,16% dhe kjo na kujton që gjyktat kanë mbyllur 57 mijë lëndë më shumë sesa që kanë pranuar në 9 muaj të vitit 2017”.

“Kemi bërë përmirësime dhe në transparencë. Në vitin 2016 kemi bërë që gjykatat të publikojnë të gjitha vendimet e gjykimit të prerë. Këto ditë kemi lansuar faqen e re të KGjK-së… Kemi emëruar 58 gjyqtarë shtesë në gjykata themelore dhe kemi siguruar buxhet për 106 staf mbështetës, të cilët do të jenë bashkëpunëtorë profesionalë”, tha Idrizi.

Kreu i KGjK-së listoi katër prioritetet e këtij institucioni:
– KGjK-ja do të punojë me gjykatat dhe palët e tjera, duke përfshirë shoqërinë civile për të përmirësuar efikasitetin dhe për të promovuar lëndët dhe procesuar më shpejt ato lëndë.
– Do të përmirësojmë performancën dhe llogaridhënien;
– Do zhvillojmë politikat dhe rregullat e gjyqësorit që t’i bëjmë më efikase;
– Do të integrojmë gjykatën në veri dhe do të bëjmë ambient të përshtatshëm në punë.

Ndërsa, Muhamet Rexha, anëtar i KGjK-së, tha se kanë miratuar Kodin e Etikës për Gjyqtarë, dhe secili prej tyre çdo vit do të mbajnë trajnime për etikë.

“Në kuadër të përmirësimit të politikave gjyqësore, KGjK-ja është e përkushtuar të përmirësojë kornizën rregullative të gjyqësorit, për zhvillimin efikas të gjyqësorit. Qëllimi ynë është të kemi një gjyqësor me llogaridhënie dhe transparencë”.

“Si rregull i përgjithshëm, seancat gjyqësore dhe vendimet janë publike dhe kjo ofron një mundësi që me qenë korrektë. Vendimet janë të qasshme për publikun dhe mediet”, theksoi Rexha.

Të ngjashme