Delawie: Krijimi i Ushtrisë me ligj dëmton marrëdhëniet me ndërkombëtarët

Prishtinë | 29 Mar 2017 | 15:27 | Nga Albulena Avdiu

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie ka thënë se Kosova duhet të krijojë Ushtrinë e saj, por me mbështetjen e ShBA-ve dhe partnerëve të tjerë strategjikë.

Këto komente ai i ka bërë në diskutimin e organizuar nga Lëvizja FOL, duke thënë se ShBA-ja dhe Kosova kanë një histori të posaçme, raporton Ekonomia Online.

“Kosova duhet t’i krijojë forcat e veta, dhe krijimi i tyre është edhe qëllimi ynë por mendojmë se kjo duhet të bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme, përmes ndryshimeve kushtetuese, në bashkëpunim me të gjitha komunitetet”, tha ai.

“Ne kemi promovuar një qasje më të ndryshme për të arritur aty ku dëshirojmë të arrijmë të gjithë. Qeveria ime ka qenë e qartë dhe do të vazhdojmë të jemi të qartë, publikisht i kemi nxitur të gjithë që të marrin frymë dhe të ngadalësohen, sa i përket këtij ndryshimi legjislativ”, ka theksuar Delawie.

Ai ka insistuar se transformimi i FSK-së në Ushtri duhet të bëhet me përkrahjen e të gjitha komuniteteve.

“Qeveria duhet t’i koordinojë hapat për transformimin e FSK-së me ShBA-në dhe partnerët e tjerë strategjikë që kanë rëndësi për të ardhmen e Kosovën. Shqetësohemi se krijimi i një Armate vetëm përmes ligjit do të dëmtonte marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtar, NATO-n dhe të tjerët e këto janë marrëdhënie jetike për Kosovën, që e ruajnë dhe e kanë ruajtur sigurinë në Kosovë qysh pas luftës. Jemi shumë të gatshëm që të vazhdojmë dhe të angazhohemi edhe vet në këtë proces”, ka theksuar ai.

Ai tha se ShBA-ja ka investuar shumë për ta arritur nivelin që e ka FSK-ja dhe se krijimi i forcave të armatosura është qëllimi i tyre.

“Angazhimi ynë me Kosovën është në sektorë dhe në projekte të ndryshme, ne ofrojmë ndihmë teknike për drejtësinë, mbështesim sektorin e energjisë, investojmë në biznese të vogla dhe po ashtu jemi partnerë me qytetarë dhe komuna për të ndihmuar komunitetet e ndryshme të Kosovës”.

“E kuptojmë frustrimin, i cili lidhet me ndjekjen e kësaj nisme përmes ndryshimeve kushtetuese, por megjithatë shqetësohemi se krijimi i një armate të ashpër vetëm nëpërmes ligjit do të dëmtonte marrëdhëniet e Kosovës me partnerët e saj ndërkombëtarë me NATO-n dhe të tjerët të cilat janë jetike për të ardhmen e Kosovës”.

Të ngjashme