Avokati i shtetit fitoi 516 raste gjyqësore, buxheti përfitoi gati 13 milionë euro

Prishtinë | 21 Maj 2021 | 11:58 | Nga Aulona Sylaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja “FOL” ka publikuar raportin “Efikasiteti i Avokaturës Shtetërore gjatë vitit 2020”, raporton Ekonomia Online.

Albana Hasani hulumtuese në “FOL” ka paraqitur të gjeturat për punën e Avokaturës Shtetërore.

Sipas saj, gjykatat kanë nxjerrë 1 515 aktgjykime, ku palë kishin qenë institucionet shtetërore të përfaqësuara nga Avokatura Shtetërore.

Nga këto aktgjykime, institucioni i Avokaturës Shtetërore i kishte fituar 516 raste, 431 i ka humbur, ndërsa 222 raste nuk kishin marrë ende epilog gjyqësor.  

“Gjatë periudhës janar-dhjetor 2020, në rastet ku palë kanë qenë institucionet shtetërore të përfaqësuara nga Avokatura Shtetërore, janë krijuar gjithsej 2 180 të reja. Numri më i madh i këtyre lëndëve të krijuara gjatë vitit 2020 ishin nga procedura jo-kontestimore (708 lëndë), duke u pasuar nga lëndët e procedurës administrative(632 lëndë), kontestimore (599 lëndë), përmbarimore (174 lëndë) dhe në fund, nga lëndët e procedurës penale (68 lëndë). Gjatë kësaj periudhe, Gjykatat e Republikës së Kosovës kishin sjellë 1 515 aktgjykime, ku palë kishin qenë institucionet shtetërore të përfaqësuara nga Avokatura Shtetërore”.

Ajo ka sqaruar se nga këto përfaqësime, institucionet kishin fituar gjithsej 12 849 600.80 euro, kurse shuma e paguar nga institucionet shtetërore palëve që kanë pasur sukses në kontestet gjyqësore në vitin 2020 ishte 3 507 645.10 euro.

“Nga këto aktgjykime, institucioni i Avokaturës Shtetërore i kishte fituar 516 raste, 431 i ka humbur, ndërsa 222 raste nuk kishin marrë ende epilog gjyqësor (prej tyre janë kthyer në rigjykim 99 lëndë, në rishqyrtim 25 lëndë dhe 98 lëndë në rivendosje). Nga këto përfaqësime, institucionet e Republikës së Kosovës kishin fituar gjithsej 12 849 600.80 €”.

“Ndërkaq shuma e paguar nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës palëve që kanë pasur sukses në kontestet gjyqësore në vitin 2020 ishte 3 507 645.10 €”.

“Gjatë kësaj periudhe ishin sjell edhe 234 vendime nga procedura e shpronësimit (vlera totale e të cilave ishte 15,659,997.38 €) dhe 83 vendime të përmbarimit (me vlerë prej 3,543,716.42 €). Nga aktgjykimet e marruar në vitin 2020, institucionet shtetërore (të përfaqësuara nga Avokatura Shtetërore) ishin paraqitur si palë e paditur në 1 430 lëndë, ndërsa në 162 lëndë si palë paditëse”.

Pesë institucionet shtetërore që më së shumti janë përfaqësuar nga Avokatura Shtetërore në lëndët që kanë përfunduar me epilog gjyqësor ishin: Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale; Qeveria e Republikës së Kosovës; Ministria e Punëve të Brendshme; Ministria e Infrastrukturës si dhe Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit.

“Pesë institucionet shtetërore që më së shumti janë përfaqësuar nga Avokatura Shtetërore në lëndët që kanë përfunduar me epilog gjyqësor gjatë vitit 2020 ishin: Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (në 533 raste), Qeveria e Republikës së Kosovës (në 299 raste), Ministria e Punëve të Brendshme (në 134 raste), Ministria e Infrastrukturës (në 106 raste), si dhe Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit (në 85 raste)”.

“Aktualisht në Avokaturën Shtetërore, përveç Avokatit të Përgjithshëm Shtetëror, eprojne edhe 11 punëtorë, 9 prei të cilëve janë avokatë shtetëror, ndërsa 3 të tjerë zyrtarë të lartë ligjor.

Hasani poashtu ka paraqitur edhe rekomandimet kryesore që FOL ka për Avokaturën Shtetërore, raporton EO

“Të rritet transparenca e Avokaturës Shtetërore në ueb-faqen zyrtare të ministrisë së Drejtësisë, duke i paraqitur dhe shpërfaqur të gjitha informatat dhe dokumentet e karakterit publik, duke përfshirë edhe raportin mbi shfrytëzimin e buxhetit shtetëror, dokumentet strategjike, informatat nga prokurimet publike, raportet vjetore, të dhënat në lidhje me të punësuarit, raportet mbi punën e avokatëve shtetëror, si dhe të dhëna të tjera të domosdoshme për informimin e publikut”.

“Çështja e rritjes së numrit të të punësuarve në Institucionin e Avokaturës Shtetërore, duke përfshirë edhe rritjen e numrit të avokatëve shtetëror, të merret me prioritet”.

“Të nxirret akti nënligjor për organizimin e brendshëm të Avokaturës Shtetërore, i paraparë me legjislacionin në fuqi”.

“Të organizohen seminare, punëtori dhe takime të shpeshta koordinuese me përfaqësuesit ligjor të komunave, në mënyrë që të adresohen dhe shkëmbehen sfidat, përvojat dhe nevojat e tyre”.

“Të stimulohet trajnimi dhe specializimi i avokatëve shtetëror në lëmi të ndryshme nga fusha e drejtësisë, duke organizuar ligjërata dhe trajnime me profesorë universitar, ekspertë të fushave, gjyqtarë dhe prokurorë”.

Sami Istrefi nga Avokatura Shtetërore, tha se po ballafaqohen me mungesës të stafit.

Sipas tij, ky institucion është jashtëzakonisht i rëndësishëm prandaj edhe duhet trajtim i denjë nga institucionet përgjegjëse.

“Të gjeturat që keni gjetur i keni marrë në bazë të publikimeve që ne kemi bërë në ueb faqen e ministrisë së Drejtësisë. Ne prioritet e kemi që të jemi sa më të hapur me punën që bëjmë. Po ballafaqohemi me problem të mungesës së stafit”.

“Ne gjatë vitit 2019/20 kur kam marrë detyrën kam gjetë vetëm 4 avokat kurse tani kemi 9 dhe tani është e pamundur të kryhen detyrat dhe përgjegjësitë siç duhet. Ne në takimet tona qeveritare jemi munduar t’i paraqesim këto probleme. Ky institucion është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe duhet të ketë trajnime për afatin pasi ata janë në pozitë jo të mirë në përfaqësimin e punës së tyre”.

Të ngjashme