Ambasadori i ShBA-së, Greg Delawie, ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që pa vonesa t’i zgjedhë tre anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese. Ai ka kërkuar të mos ketë kalkulime politike në këtë çështje, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Që nga 15 qershori Gjykata Kushtetuese ka mbetur “jofunksionale” për shkak të mungesës së kuorumit, pasi Kuvendi i Kosovës ende nuk ka arritur që t’i zgjedhë tre gjyqtarët e rinj në këtë Gjykatë.
Javën e kaluar ka përfunduar intervistimi i kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie, ka kërkuar që politika të mos kalkulojë dhe që të zgjedhën gjyqtarët e rinj.
Ai përmes një shkrimi në “Twitter” ka thënë që politika nuk ka vend në Kushtetutë dhe gjyqtarët e Kushtetueses duhet të emërohen menjëherë, shkruan më tutje “Zëri”.
“Politika nuk ka vend në Kushtetutë. Jo më shumë vonesa: Kuvendi duhet t’i emërojë tre gjyqtarë të kualifikuar të Gjykatës Kushtetuese tani. Gjykata më e lartë thelbësore e Kosovës mund të funksionojë dhe ta mbrojë sundimin e ligjit”, ka shkruar Delawie.
Haliti: Intervistimi ka përfunduar, pritet miratimi në Kuvend
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka treguar për gazetën “Zëri” se intervistimi i kandidatëve për gjyqtarë të Kushtetueses tashmë ka përfunduar dhe shumë shpejt pritet që të kalojë në Kuvend për votim të tyre.