Ambasadori i Shteteve të Bashkuar të Amerikës (ShBA), Greg Delawie, ka mbërritur në Kuvendin e Kosovës 30 minuta para fillimit të seancë ku në rend ditë është marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, raporton Ekonomia Online.
Delawie dje u ka bërë thirrjee të gjithë deputetëve që ta votojnë demarkacionin.
Kuvendi mblidhet sot në seancën e jashtëzakonshme, për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Kështu ka vendosur dje kryesia e Kuvendit në një mbledhje të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare pas kërkesës së qeverisë për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, të plotësuar edhe me një aneks-marrëveshje ndërmjet dy presidentëve, të Kosovës Hashim Thaçi dhe Malit të Zi Filip Vujanoviq.
Në marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet dy presidentëve, thuhet se pas ratifikimit të demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, të dy vendet do ta rishikojnë vijën kufitare dhe do të bëhen korrigjime nëse ka pasur lëshime.
Që të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, duhen 80 vota nga 120 deputetë, sa i ka Kuvendi.
Ratifikimi i Demarkacionit është njëri nga dy kushtet e mbetura të Kosovës të vendosura nga Komisioni Evropian për heqjen e vizave.