Delawie: Komisioni për demarkacion u mbështet në Planin e Ahtisaarit

Prishtinë | 03 Gus 2016 | 15:42 | Nga

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, tha se pikëpamja e qeverisë së tij është “se miratimi i Marrëveshjes për demarkacion të kufirit me Malin e Zi është mirë për Kosovën dhe gjithë rajonin”.

Në fjalën e tij, në tryezën shkencore-profesionale në Kuvendin e Kosovës, ambasadori Delawie tha se “analizat e ekspertëve tanë hartografikë mbështesin demarkacionin e kufirit që e ka kryer Komisioni shtetëror i Kosovës”.

“E theksoj se puna e komisionit është e njëjtë sikundër ajo e përgatitur nga Kosova në Eurogeografics më 2007, në përgatitjet për pavarësi. Të njëjtat siç janë përdorur në planin Ahtisaari, që është bazë e pavarësisë së Kosovës. Të njëjtat që përshkruhen në Kushtetutën e Kosovës, të njëjtat që shihen në flamurin e Kosovës, që Kuvendi e miratoi më 2008”, tha ambasadori Delawie.

:Nuk kam sjellë asnjë hartë. Më vjen mirë që po i shoh të gjitha palët në një vend për të diskutuar për këtë çështje. Pamja ime dhe e qeverisë time është se miratimi i marrëveshjes është i mirë për Kosovën dhe rajonin”, tha Delawie, në fillim të fjalimit.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë e mirëpriti nismën e Kuvendit për të organizuar tryezën si një mundësi për një debat të hapur dhe të sinqertë për çështjen dhe do të shndërrohet në një “model të diskutimit të çështjeve të tjera edhe më të komplikuara në të ardhmen për vendin”.

Ai fajësoi të dy palët se po e rrezikojnë të ardhmen e Kosovës. “Po kundërshtoni marrëveshjen në mënyrë cinike, duke nxitur urrejtje dhe duke e rrezikuar të ardhmen e Kosovës. Atyre në qeveri që e lanë këtë marrëveshje të pres 11 muaj dua të ju them se transparenca është bazament i një shteti ligjor”, tha Delawie.

Ky debat, i cilësuar si shkencor dhe profesional për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, ka filluar punimet në Kuvendin e Kosovës, me pjesëmarrjen e Komisionit shtetëror për shënimin e vijës kufitare, ekspertë të ndryshëm, deputetë dhe udhëheqës të institucioneve.

Mbi 110 pjesëmarrës, përfshirë edhe zyrtarë ndërkombëtarë, janë mbledhur në një sallë alternative të Kuvendit, në debatin e parë të hapur për çështjen që ka ngjallur kundërshtime të fuqishme të opozitës në vend.

Në hapjen e debatit, të cilin e cilësoi si shumë të nevojshëm, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, shprehu besimin se mesazhi i përbashkët do të jetë vullneti dhe përkushtimi i të gjithë spektrit politik që problemet dhe mosmarrëveshjet të adresohen përmes rrugëve demokratike.

“Duhet të punojmë për interesat e qytetareve dhe për dinjitetin e tyre. Kjo është një mundësi e mirë që ballafaqohen argumentet për kufirin. Është e rëndësishme që të përçohen mesazhe të mira që Kosova të këtë raporte të mira me shtetet fqinje”, tha Veseli.

Debati shkencor-profesional u kërkua fillimisht nga 24 deputetë nga radhët e LDK-së, LVV-së dhe PDK-së që në fillim të muajit korrik, dhe ai u vendos të mbahet nga Kryesia e Kuvendit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme