Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Greg Delawie, nëpërmes një video mesazhi drejtuar kosovarëve, thotë se vjeshta e gjen Kosovën duke u marrë me të njëjtat çështje të pazgjidhura.
Ai ka bërë thirrje për qasje më konstruktive.
“Mirëdita, dobar dan, hello”, ka përshëndetur në tri gjuhë Delawie. “Derisa vera po shndërrohet në vjeshtë, ne jemi ende duke folur për të njëjtat çështje të pazgjidhura. Në vend që të shtyjmë për përparim dhe krijimin e ndryshimit pozitiv, vështirë mund të shikoni TV-në këto ditë pa dëgjuar akuza se kush është gabim, tradhtar për vendin, ose edhe më keq”.
“Në qeveri, kemi parë politika partiake që gërryejnë themelet e progresit, me udhëheqës të fokusuar më shumë në ata që janë kundër, sesa çka mbështesin ata në fakt”.
“Dhe në shtyp dhe në rrugë, kemi parë një rritje të tensioneve etnike dhe fetare, trend dekurajues në kontrast të thellë me mirësinë, mikpritjen dhe tolerancën për të cilat është e njohur Kosova”.
Kosova meriton më mirë, sipas ambasadorit amerikan.
“Unë besoj në një të ardhme më të ndritshme për Kosovën – një të ardhme me rritje ekonomike dhe prosperitet; një demokraci të qëndrueshme dhe funksionale që iu përket qytetarëve dhe taksapaguesve, jo interesave partizane politike; një Kosovë multi-etnike, të hapur dhe të pavarur, në paqe me fqinjët e saj”.
“Unë besoj se e ardhmja më e ndritshme vjen nga mesazhet progresive, jo agjendat negative të thëna me zë të lartë”.
“Historia nuk bëhet nga ata që janë më të mirë në kritika; ajo është bërë nga njerëzit me zgjidhje pozitive, njerëzit të cilët përpiqen për të zgjidhur problemet në vend që të krijojnë ato”.
“Nuk është e mjaftueshme vetëm të flitet – ne duhet të punojmë dhe të kërkojnë veprim”.
“Para se ndryshojë sërish stina, nga vjeshta në dimër, të angazhohemi së bashku për të gjetur zgjidhje, ta mbajmë lëvizjen përpara, dhe të krijojmë atë të ardhme të ndritshme”, përfundon mesazhi i ambasadorit Delawie.