Delegacioni i Kosovës përfundoi pjesëmarrjen në takimet vjetore të BB dhe FMN-së

Prishtinë | 13 Tet 2018 | 12:30 | Nga Ekonomia Online

Delegacioni i Kosovës i përbërë nga Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, ministri i Financave, Bedri
Hamza dhe zyrtarë tjerë, kanë përfunduar pjesëmarrjen në takimet vjetore të Fondit Monetar
Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, të cilat u zhvilluan në Bali të Indonezisë nga data 9-13 tetor
2018.

Në ditën e fundit të qëndrimit, Guvernatori Mehmeti dhe Ministri Hamza kanë marrë pjesë në
diskutimet e Guvernatorëve dhe Ministrave të Evropës Qendrore dhe Lindore lidhur me Përspektiven
Ekonomike Rajonale të Evropës Qendrore dhe Juglindore.

Gjithashtu, gjatë ditës së fundit, përfaqësues të BQK-së kanë marrë pjesë në mbledhjen plenare të
Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar të FMN-së, ku temë diskutimi kanë qenë: rritja e
bashkëpunimit me qëllim të shmangies së rreziqeve, parametrat global, si dhe politikat dhe prioritetet e FMN-së për të ndihmuar vendet anëtare.

Gjatë qëndrimit në Indonezi dhe pjesëmarrjes në sesionet plenare të organizuara nga FMN dhe Banka
Botërore, delegacioni nga Banka Qendrore e Kosovës i kryesuar nga Guvernatori, kanë takuar drejtues të
lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, nga të cilët kanë marrë mbështetje në
realizimin e objektivave të BQK-së në mbështetje të zhvillimit të vendit.

Në takimet vjetore të FMN-së dhe BB-së, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti ka
marrë pjesë në sesionin plenar të FMN-së dhe BB-së, ku fjalimet kryesore u mbajtën nga Presidenti i
Indonezisë, shkëlqesia e tij Joko Widodo, drejtoresha menaxhuese e FMN-së, Christine Lagarde dhe
Presidenti i Bankës Botërore, Jim Yong Kim.

Gjithashtu, Guvernatori Mehmeti ka takuar zëvendësdrejtorin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao
Zhang, të cilin e informoi mbi zhvillimet e përgjithshme në sistemin financiar, si dhe e falënderoi për
përkrahjen e vazhdueshme që FMN-ja i ka ofruar BQK-së ndër vite.

Gjatë takimeve vjetore, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka marrë përkrahje nga Departamenti i
FMN-së për Evropë rreth kërkesës së BQK-së për Rishikimin e Stabilitetit të Sektorit Financiar (Financial Stability Sector Review).

Në të njëjtën kohë, gjatë kësaj vizite është nënshkruar edhe Marrëveshja e Mirëkuptimit ne mes te
Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Guvernatori Mehmeti dhe Bankës
Qendrore të Turqisë, përfaqësuar nga Guvernatori Çetinkaya, që ka të bëjë me shkëmbimin e
informacioneve mes dy institucioneve.

Po ashtu, takime jane zhvilluar edhe me Drejtorin e ri të Konstituencës tonë në FMN, Raci Kaya, si dhe
me Drejtorin në ardhje të Konstituencës tonë në Bankën Botërore, Guenther Schoenleitner.

Në kuadër të takimeve vjetore në Bali të Indonezisë, delegacioni i BQK-së ka marrë pjesë në takimin
hapës të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar të FMN-së, si dhe në takimet e ndara të
Konstituencës së Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, pjesë e të cilave është edhe
Kosova.

Takimet vjetore të Bordit të Guvernatorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të
Bankës Botërore (WBG), për çdo vit sjellin së bashku bankierët e bankave qendrore, ministrat e
financave, drejtuesit e sektorit privat, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe akademikëve për të diskutuar çështjet e financave të fokusuara në ekonominë globale, zhvillimin ndërkombëtar dhe ato të sistemit financiar botëror.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme