Një delegacion i nivelit të lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), kryesuar
nga Guvernatori Ahmet Ismaili, Zëvendësguvernatori Fusha, Koordinatorja për
Bashkëpunim Ndërkombëtar Abazi dhe Shefi i Kabinetit Z. Zyfliu, është takuar në
Washington D.C. për diskutime konstruktive me zyrtarë të lartë të Bankës së Rezervës
Federale (Banka Qendrore e SHBA-së) të New York-ut, të udhëhequr nga Z. Matthew
Nemeth, Zëvendëspresident dhe Drejtor i Shërbimeve të Llogarive të Klientit dhe Z. Phatak,
Drejtues i Politikave dhe Strategjive Ndërkombëtare me ekipin e tyre.
Takimi kishte për qëllim mirënjohjen dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy bankave qendrore.
Në takimin e zhvilluar me ekipin e FED-it të New York-ut, delegacioni i BQK-së nënvizoi
bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet dy bankave qendrore, duke përfshirë programet e ngritjes
së kapaciteteve në mbështetje direkte që nga themelimi i BQK-së.
Veçanërisht, delegacioni potencoi përgjegjësinë e BQK-së në menaxhimin e të gjitha
rezervave në Dollarë Amerikan (USD) me Rezervën Federale dhe theksoi rëndësinë e
marrëdhënieve bankare korrespondente ndërmjet dy institucioneve.
Guvernatori Ismaili shprehi përkushtimin e BQK-së për të mbajtur lidhje të forta me FED-in,
duke njohur rolin e saj kryesor në asistencën e menaxhimit të rezervës ndërkombëtare dhe
partneriteteve strategjike, duke përfshirë praktikat më të mira për të luftuar pastrimin e parave
dhe financimin e terrorizmit.
Këto angazhime vënë në pah përkushtimin e BQK-së për të nxitur partneritete të
qëndrueshme me akterët kryesorë ndërkombëtarë, duke avancuar më tej misionin e
institucionit për promovimin e stabilitetit financiar dhe ndikimin e qëndrueshëm në ekonomi,
pasi ne vlerësojmë partneritetin strategjik ndërmjet dy kombeve dhe institucioneve.
Ky takim dypalësh, është mbajtur gjatë qëndrimit të delegacionit të BQK-së në Washington
D.C., për takimet pranverore me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), Bankën Botërore
(BB), si dhe institucionet kryesore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.