Delegacioni serb në Antalya të Turqisë i referohet Kosovës me “Kosovë e Metohi”, reagon delegacioni kosovar dhe shtetet e tjera pjesëmarrëse

Prishtinë | 22 Qer 2021 | 17:15 | Nga Ekonomia Online

Gjashtë shtete pjesëmarrëse në seancën plenare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore që po mbahet në Antalya në Turqi kanë reaguar në shenjë proteste ndaj delegacionit serb në këtë seancë, të cilët gjatë prezantimit të tyre kishin shkelur parimet e gjithëpërfshirjes dhe barazisë duke iu drejtuar Kosovës si “Kosovë e Metohi”.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli po ashtu në cilësinë e Kryesueses dhe në emër të Delegacionit nga Kosova i është përgjigjur Serbisë.

Delegacioni serb gjatë prezantimit që pati në këtë seancë, kur kishte folur për Kosovën, i ishte drejtuar asaj si “Kosovë e Metohi”, ndërkaq reagim përveç nga delegacioni i Kosovës, kishte pasur edhe nga gjashtë shtete tjera, Turqia, Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Sllovenia.

Në shenjë proteste këto shtete nuk duartrokitën pas fjalimit të delegacionit serb, të cilët ndër të tjera gjatë fjalës së tyre kishin thënë se Kosova nuk është shtet dhe shumë shtet anëtare nuk e kanë njohur si shtet.

Përveç këtyre sulmeve ndaj Kosovës e duke akuzuar po ashtu se shqiptarët kanë bërë krime, ky delegacion, siç mëson Telegrafi kanë sulmuar edhe delegacionin e Shqipërisë gjatë seancës.

Deputetja e LVV-së ka thënë se Serbia ka shkelur parimet e gjithpërfshirjes dhe barazisë, në ndërkohë që gjashtë nga shtetet pjesëmarrëse, përfshirë edhe Turqinë si nikoqir, si notë protestë nuk i kanë duartrokitur Serbisë.

Pacolli gjatë fjalimit të saj ka theksuar se delegacioni i Kosovës kanë zgjedhur gjuhën e bashkëpunimit dhe sado që kjo është e vështirë duke marrë parasysh krimet e Serbisë ndaj popullit të Kosovës, “besojmë që rruga jonë e vetme drejt të ardhmes është përmes bashkëpunimit”.

“Për ne është vështirë të ulemi e të flasim për bashkëpunim me Serbinë e cila na ka vrarë e masakruar dhe akoma nuk ka kërkuar falje për atë që ka bërë. Por, ne kemi zgjedhur gjuhën e bashkëpunimit sepse besojmë që rruga jonë e vetme drejt të ardhmes është përmes bashkëpunimit”, ka thënë Pacolli në këtë seancë.

Ajo po ashtu, ka falënderuar shtetet tjera për përkrahjen.

“Faleminderit të gjithë përfaqësuesve të shteteve pjesëmarrëse për reagimin që patët karshi gjuhës së  papranueshme të Serbisë e cila shkeli prarimin e barazisë dhe gjithëpërfshirjes”, shkruan Pacolli ndër të tjera.

Postimi i plotë:

“SOT NUK KISHTE DUARTROKITJE PËR SERBINË!

Sot në seancën plenare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore që po mbahet në Antalya në Turqi, Serbia shkeli parimet e bashkëpunimit atë të gjithëpërfshjes dhe barazisë. Fjala e Serbisë ishte e papranueshme dhe fyese jo vetëm ndaj Kosovës por të gjitha shtetet tjera pjesëmarrëse. Serbia para të gjitha shteteve tregoi se nuk është e gatshme për bashkëpunim rajonal sepse akoma udhëhiqet nga njerëz që dikur ishin pjesë e qeverisë së Millosheviçit.

Turqia, Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Sllovenia në notë proteste nuk i duartrokitën Serbisë dhe qasjes së saj destruktive.

Unë, në cilësinë e Kryesuese dhe në emër të Delegacionit nga Kosova kërkova t’i përgjigjem Serbisë.

Deklarimi im:

Dje iu drejtova në gjuhën angleze por tani  po zgjedhi t’iu drejtohem në gjuhën shqipe në gjuhën të cilën shteti serb me dekada është përpjekur ta shuan. Ne anëtarët e delegacionit të Prishtinës që jemi prezent sot, dua të ju njoftoj, se ne e kemi parë vdekjen me sy kur ushtria serbe ka sulmuar pamëshirshmën Kosovën. Ne ishim fëmijë atëherë. U detyruam të ikim nga shtëpitë tona. Serbia ka vrarë të afërmit, shokët e shoqet tona. Ka masakruar fëmijë e gra. Serbia ka dhunuar mbi 20.000 gra.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, e cila iu drejtua me një fjalë rasti sot në këtë Asamble ka pasur mundësi të drejtohet me një gjuhë tjetër ndaj Serbisë. Ajo ishte 13 vjeç kur në trupin e saj u shkrepën dhjetëra plumba. Ajo mbijetoi përkundër se në trupin e saj të njomë kishte 16 plumba. Por, ajo zgjodhi gjuhën e bashkëpunimit.

Për ne është vështirë të ulemi e të flasim për bashkëpunim me Serbinë e cila na ka vrarë e masakruar dhe akoma nuk ka kërkuar falje për atë që ka bërë. Por, ne kemi zgjedhur gjuhën e bashkëpunimit sepse besojmë që rruga jonë e vetme drejt të ardhmes është përmes bashkëpunimit.

Falemnderit të gjithë përfaqësuesve të shteteve pjesëmarrëse për reagimin që patët karshi gjuhës së  papranueshme të Serbisë e cila shkeli prarimin e barazisë dhe gjithëpërfshirjes.

Ne zgjodhëm që këtu të mos përmendim padinë që do të bëjë shteti i Kosovës ndaj Serbisë për gjenocidin që ka bërë në Kosovë. Ne e njohim shumë mirë Serbinë ashtu siç e njeh edhe Bosnja, Kroacia, dhe Slovenia.

Sjellja e Serbisë ishte një dëshmi e mirë për të gjithë ju që jeni prezent në këtë takim për të kuptuar se kush është për bashkëpunim rajonal, për avancim e për respektim të njëri-tjetrit  e kush është kundër bashkëpunimit dhe minon çdo nismë të mirë rajonale.

Prandaj, duhet ta kuptojme dhe të bashkëpunojmë ngusht me njëri tjetrin që ta ndalim qasjen destruktive të Serbisë.

Ne duhet të bashkohemi për paqe e zhvillim. Serbia duhet të ndryshoj e të kërkoj falje për gjenocidin që ka bërë në Kosovë dhe Bosnje si dhe për viktimat në Kroaci”, ka shkruar Pacolli. 

Të ngjashme