Haradinaj në konferencën e përbashkët që pati me delegatin apostolik për Kosovën, ShT Mosinjor Juliusz Janusz ka thënë se ai ka lajme të mira për vendin dhe kishën tonë, por që u fokusua më shumë në lajmet që kanë të bëjnë me përgjegjësinë e tij si kryeministër i vendit.
“Sekretari i shtetit Kardinal Parolini i është përgjigjur letrës që i kam shkruar Papës. Në letër ka treguar qëndrimin e tij se dialogu informal do të vazhdojë me disa përmirësime dhe me gatishmërinë për të vazhduar në të ardhmen, besoj se kjo është shenjë e mirë dhe si kosovarë jemi të bekuar që të kemi bekimin e Papës”, tha Haradinaj.
Delegati apostolik për Kosovën, ShT Mosinjor Juliusz Janusz, ka thënë se pas 7 viteve qëndrimi në Kosovë është i lumtur që po sheh Kosovën vazhdimisht duke u zhvilluar dhe nga kjo përvojë do të ketë kujtime shumë të mira nga Kosova, raporton Ekonomia Online.
“Njerëzit duan ta japin më të mirën e tyre, nëse nuk gjejnë punë këtu ata shkojnë jashtë vendit dhe ka ambicie te njerëzit që të arrihet progres dhe ne bashkë me kishën duam të kontribuojmë në procesin e stabilizimit të marrëdhënieve me fqinjët, në procesin e përmirësimit të mënyrës së jetesës, e sidomos në procesin e rikonsolidimit nacional, sepse njerëzit kanë nevojë për këtë”, tha ai.
“Jam i lumtur që presidenti juaj, qeveria juaj ka qëllim të fortë për të biseduar me fqinjë për të arritur shumë gjëra. Pas 7 viteve në këtë vend, jam i lumtur ta shohë zhvillimin e vazhdueshëm të këtij vendi, sepse realiteti këtu është shumë pozitiv dhe inkurajues, prandaj edhe pse duhet ta lë këtë punë do të kem kujtime të mira”, tha ai.