Instituti Cilësor për Hulumtime Analiza dhe Trajnime iCHAT, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, prezantuan projektin “Platforma e masave preventive për reduktim të veprimeve delikuente në shkolla”.
Qëllimi i këtij projekti u tha se është ofrimi i rekomandimeve, të cilat do të nxisin përpilimin dhe zbatimin e politikave që vënë në rend të parë nxënësit dhe të garantojnë sigurinë e tyre.
Drejtori i iCHAT, Besmir Kokollari tha se qëllimi i këtij projekti paraqet modelin e ri të këtij zhvillimi i platformës me masa preventive për sjelljet delikuente tek nxënësit dhe projektimi i konceptit të shkollave të sigurta.
“Delikuenca e të miturve paraqet kërcënim për vetë rininë, por edhe për mirëqenien e shoqërisë. Kosova ka Rininë më të shëndetshme pothuajse në gjithë botën, dhe ky fakt është për tu vlerësuar”, tha ai.
Sipas Kokollarit të gjithë duhet të angazhohemi në ruajtjen e kësaj pasurie dhe të reduktojmë nëse nuk mund të eliminojmë kërcënimet e mundshme që mund të cenojnë integritetin dhe mirëqenien e kësaj rinie, dhe kësaj shoqërie në përgjithësi.
“Ne nuk mundemi të bëjmë gjëra të mëdha, por gjëra të vogla më qëllim të mirë, bashkë mund të bëjmë ndryshime, të cilat do të kontribuonin mirëqenies sonë në radhë të parë, pasi edhe fëmijët tanë do të rriten në këtë ambient, në këtë shoqëri, prandaj ia vlen që ta trajtojmë këtë fenomen në një rrafsh serioz”.
Azem Guri, këshilltar i Ministrit të Arsimit, tha se kjo platformë do t’u shërbejë shkollave në hartimin e një plani zhvillimor.
iCHAT ka realizuar një hulumtim me shkolla të mesme në 3 regjione të Kosovës: Prishtinë, Gjakovë dhe Mitrovicë, për të parë se cilat do të ishin alternativat e mundshme si zgjidhje për parandalim dhe reduktim të sjelljeve delikuente.
Mostra është përzgjedhur në mënyrë të rastësishme, prej 7 regjioneve në Kosovë, janë përzgjedhur 3 prej tyre, në shkollat e mesme të së cilave janë përzgjedhur nga 5 klasë për hulumtim.
Pjesa e parë e pyetësorit ka përmbajtur pyetje demografike dhe pjesa e dytë të dhëna mbi delikuencën.