Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu deklaroi se bashkësisë ndërkombëtare i mungon vullneti ta përballë me krimet e veta gjatë agresionit mbi vendet fqinje në luftërat e ish-Jugosllavisë, përcjell Ekonomia Online
Deliu tha se hulumtimi publik ku thuhet se gjysma e qytetarëve të Serbisë dëshirojnë luftë me Kosovën, duhet të shërbejë si kambanë për shtetet e Bashkimit Evropian që ta njohin sa më parë Kosovën.
“Çfarë mendësie prodhojnë elitat në Serbi dëshmon hulumtimi i fundit i opinionit publik që zbulon se gjysma e qytetarëve të saj dëshirojnë luftë me Kosovën dhe besojnë në shpërthimin e konflikteve të reja në rajon. Ky rrezik eminent për rajonin do të vazhdojë përdërisa nuk ekziston një vullnet i bashkësisë ndërkombëtare ta përballë Serbinë me krimet e veta gjatë agresionit mbi vendet fqinje në luftërat e ish-Jugosllavisë. Kurse për vendet që mohojnë shtetësinë e Kosovës, sidomos ato të Bashkimit Evropian, ky fakt duhet t’u shërbejë si kambanë që ta njohin sa më parë Kosovën”, ka shkruar ajo në profilin e saj.
“Përndryshe, ky hezitim i tyre për ta njohur shtetin e Kosovës do të vazhdojë të ushqejë aspiratën serbe për luftëra territoriale me vendet fqinje. Kosova mbetet argumenti serb që definimet territoriale mbeten të hapura në rajon dhe, për fatin e keq, neutraliteti i BE-së ndaj shtetësisë së Kosovës është duke i kontribuar këtij qëllimi”, thuhet në statusin e Deliut.