Rektori i Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, në një konferencë për media, ka thënë se rekrutimi i stafit në këtë universitet është bërë sipas standardeve të avancuara, raporton Ekonomia Online.
Duke iu përgjigjur ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, që një ditë më parë kërkoi përgjegjësi nga rektorati për punësimet dhe avancime të stafit, Dema u shpreh i bindur se politika nuk ka qenë dhe nuk është e përfshirë në këtë institucion.
“Gjatë këtyre dy viteve rekrutimi i stafit akademik është bërë me standardet më të avancuara.
“Meqenëse me ministrin Bytyqi nuk jemi takuar asnjëherë aty flet për dinamizmin, menaxhmeti kërkon të jetë më dinamik, të merren masa ndaj menaxhmentit, ndaj mungesës së dinamizmit. UP e ka planin, strategjinë në të cilin është përcaktuar shume qartë niveli, procedura e dinamizmit të kryerjes së veprimeve në fusha të cilat i permenda”.
“Nuk ka asnjë kandidat që është rekrutuar me ndikim politik. Sipas raporteve nga njësitë akademike mbi 95 për qind e orëve janë mbajtur”.
Dema ka ftuar në takim ministrin për të diskutuar për mundësinë e bashkëpunimin në të mirë të UP-së.
“Burimet e informimit nga të cilat informohet ministri Bytyqi nuk janë kredibile. Unë e ftoj publikisht t’i konsultojë dokumentet relevante ose të kontaktojë me partnerët tanë ndërkombëtar me të cilët bashkëpunojmë. E ftoj ministrin Bytyqi të organizojë një takim me rektorin e UP-së që në bashkëpunim ta realizojmë vizionin për Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, mbrëmë në një televizion ka thënë se gjendja e Universitetit të Prishtinës nuk është e mirë, dhe sipas tij, ministria duhet të veprojë, por duke e ruajtur pavarësinë e UP-së si institucion.
Bytyqi deklaroi se profesorët e Universitetit të Prishtinës, kanë pagat më të larta në rajon, por sipas tij nuk po bëjnë punë e cila arsyeton këto paga. Lidhur udhëzimin administrativ, i cili u nxor nga Ministria e Arsimit, Ministri Bytyqi deklaroi se deri më tani ka pasur publikime në revistat për të cilat nuk është ditur se a janë revista shkencore.
Ndryshe udhëzimi administrativ i Ministrisë së Arsimit ka për qëllim që të përcaktojë revistat se ku do të publikohen punimet shkencore.