Gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e hapjes së Panairit të Punës dhe Karrierës, rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema tha se në UP janë duke u bërë reforma në tri fusha: mësimnxënie, hulumtime shkencore dhe shërbime.
“Kosova ka nevojë për ndryshim, pa ndryshim të UP-së është vështirë të vjen ai ndryshim. Sipas planit strategjik të UP-së jemi duke bërë reforma në tri fusha me prioritet në mësimdhënie: mësimnxënie, hulumtime shkencore dhe shërbime. Ne menaxhmenti besojmë se ky ndryshim do ndodhë, dhe nëse ndodh do ta quajmë fitore. Fitore se do përgatisim gazetarë, politikanë etj”.
Bernard Braun, nga Ministria Federale Gjermane për bashkëpunim Ekonomik, falënderoi për mikpritje organizatorët.
“Çelësi i punësimit është diçka si futbolli, nevojitet këmbëngulësi dhe punë ekipore. Ju falënderoj për mikpritjen dhe është hera e parë që vij këtu”.
Sandra Shenke, nga GIZ-i, përfaqësuese për Evropë Juglindore dhe Kaukaz, e cilësoi panairin si mundësi të jashtëzakonshme për punëkërkuesit dhe punëdhënësit, raporton Ekonomia Online.
“Jam e kënaqur dhe e priveligjuar që jam këtu. Ky panair është një mundësi e jashtëzakonshme për punëdhënësit dhe punëkërkuesit të shkëmbejnë me njëri-tjetrin përvojat. Ky panair është vetëm një prej bashkëpunimeve të shumta mes Qeverisë së Kosovës dhe gjermane. Ju duhet të gjeni njëri-tjetrin për punësim dhe punë dhe të qëndroni të angazhuar”.
Në kuadër të Panairit të Punës, edhe Qendra për Zhvillim të Karrierës të Universitetit të Prishtinës bëri hapjen e Panairit Virtual të Karrierës, projekt ky i mbështetur nga DIMAK Kosova-GIZ.
Shqipdona Ademi nga Qendra për Zhvillim të Karrierës, tha se në këtë panair po marrin pjesë 25 institucione, kompani, organizata të ndryshme të cilat janë të gatshme t’u ofrojnë mundësi studentëve për zhvillim të karrierës.