Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Emanuel Demaj, ka marrë pjesë në takimin Ministerial të Kartës së Adriatikut A5 që po mbahet në Zagreb.
Demaj, i cili po e udhëheq delegacionin e Republikës së Kosovës, në këtë takim ka prezantuar të arriturat dhe zhvillimet pozitive të vendit. Duke iu adresuar përfaqësuesve të vendeve pjesëmarrëse të Kartës së Adriatikut, ai ka theksuar nevojën e përfshirjes së Kosovës në të gjitha organizatat dhe iniciativat rajonale, përfshirë edhe Kartën e Adriatikut.
Në këtë kontekst, në deklaratën finale të miratuar nga të gjitha vendet pjesëmarrëse, është reflektuar edhe kërkesa e paraqitur nga zëvendësministri Demaj në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës për anëtarësi në Kartën e Adriatikut.
Përfaqësuesit e vendeve anëtare janë pajtuar që kërkesa e Kosovës të zgjidhet brenda një afati të caktuar kohor. Në të njëjtën kohë në deklaratën e përbashkët janë vlerësuar zhvillimet e reja të raportit të Republikës së Kosovës me Aleancën Veriatlantike (NATO).
Gjatë ministerialit të përfaqësuesve të vendeve anëtare dhe vëzhguese janë trajtuar tema që ndërlidhen me zhvillimet aktuale politike dhe të sigurisë si dhe është diskutuar lidhur me të ardhmen dhe bashkëpunimin brenda Kartës së Adriatikut, zgjerimi i të cilës ka qenë në fokus të diskutimeve.