Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj, ndaj të cilit ekziston masa e arrestit shtëpiak, ka lëshuar mbledhjen e Komisionit për Legjislacion kur ka nisur pika për Shqyrtimin e Raportit të Avokatit të Popullit në lidhje me organizimin e votimit jashtë vendit për zgjedhjet parlamentare dhe lokale.
Demaliaj ka thënë se ka vendosur të lëshojë mbledhjen pasi Institucioni i Avokatit të Popullit nuk ka reaguar për publikimin e të dhënave personale në medie, me rastin e daljes në publik të listave me veteranët e dyshuar si të rremë.
LEXO Edhe: Serbët e dyshuar për krime lufte pritet të hetohen e gjykohen në mungesë
“Te listat e veteranëve janë publikuar të dhënat personale. Në këtë rast e lëshoj mbledhjen sepse ky mekanizëm nuk ka reaguar”, ka thënë Demaliaj.
Lëshimi i mbledhjes së komisionit nga Demaliaj ka nxitur debat për mos reagimin e Avokatit të Popullit për publikimin e të dhënave personale të veteranëve.
Deputeti i LVV-së, Sami Kurteshi, ka thënë se ky institucion nuk mund të reagojë shpejtë si mediet apo qytetarët.
“Janë dy kategori të shkeljeve të cilat duhet të merren parasysh. Kategoria e shkeljeve individuale dhe kolektive. Te veteranët kemi të bëjmë me individuale. S’kisha dashur të bëjë presion. Nuk duhet me prit prej një institucioni që avokati i popullit të reagojë si njerëzit e mediet. Nuk duhet të ketë nguti”, është shprehur Kurteshi.
Frashër Krasniqi nga PSD, tha se publikimi i këtyre të dhënave personale është shkelje e të drejtave të njeriut, derisa vlerësoi si veprim të mirë nisjen e hetimit të kësaj çështjeje nga Avokati i Popullit.
“Është bërë shkelje e të drejtave të njeriut, sidomos që janë publikuar emrat e vërtetë, të cilët janë vendosur te veteranët e rremë. Avokati i Popullit shumë mirë që kanë hapur rast për hetimin e listave të veteranëve”.
Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate ka thënë se duhet të mësohen që të mos keqpërdoret pushteti.
“Mediet kanë një liste me emra që supozohet se këta 20 mijë njerëz janë veteranë të rrejshëm. Media gjithkun në botë, kur ka një dokument, e ndan me publikun. Këtu duhet gjithsesi jo për të ushtruar presion mbi prokurorinë por të fillojmë të mësohemi që të mos keqpërdorim pushtetin”.
Përfaqësuesja e Avokait të Popullit, Majlinda Lulaj, tha se nuk kanë reaguar shpejtë pasi që ka pasur reagim institucional dhe qytetar.
“Kemi parë reagimin institucional dhe për neve elementi kyç është vetëdija e institucioneve dhe njerëzve është e rëndësishme, prandaj s’ka pasur një reagim të shpejtë”, deklaroi Lulaj, raporton EO.
Në komision është diskutuar lidhur me mos procedimin e Strategjisë Shtetërore Kundër Korrupsionit 2018-2022.
Me këtë rast, kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu, ka thënë se duhet që sërish t’i kërkojnë Qeverisë që sa më shpejtë të procedojë në Kuvend këtë strategji.
“Duhet t’i kërkojmë edhe një her qeverisë që ta riprocedojë sa më parë këtë strategji”.