Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi nuk do të procedohet në seancë të Kuvendit pa u siguruar votat e nevojshme të deputetëve. Partia më e madhe në koalicionin qeverisës (PDK) konfirmon se nëse nuk ka konsensus, atëherë do të ketë shtyrje të seancës për Demarkacionin.
Ndonëse Qeveria e Kosovës e ka përcjellë në Kuvend Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi ende nuk dihet se kur saktësisht do të procedohet kjo marrëveshje.
Anëtarë të Kryesisë së Kuvendit kanë thënë se nuk ka ndonjë datë të saktë se kur do të dalë në votim Marrëveshja e Demarkacionit. Madje, ata kanë bërë të ditur se “seanca e Demarkacionit” mund të shtyhet po qe se nuk gjendet një konsensus politik mes partive për versionin aktual të saj. Përderisa LDK-ja dhe PDK-ja janë deklaruar disa herë se do ta votojnë versionin aktual të Demarkacionit, AAK-ja, Nisma e LVV-ja kanë pohuar të kundërtën se nuk do ta votojnë versionin aktual.
Megjithatë, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se vonesa që po i bëhet kësaj marrëveshjeje për të shkuar në Kuvend ka të bëjë pikërisht me mobilizimin e deputetëve, gjegjësisht me sigurimin e votave për ta kaluar marrëveshjen në fjalë, shkruan “Zëri”.