40 familje të një pallati në Durrës kanë zgjedhur të protestojnë mëngjesin e sotëm në mungesë të një zgjidhjeje nga pushteti vendor dhe ai qendror lidhur me dëmet e shkaktuara nga tërmeti i vitit të shkuar.
Pallati i tyre është klasifikuar në nivel dëmtimi DS4, por pretendimi i tyre qëndron në mosgjetjen e një zgjidhjeje të mëtejshme për këtë pallat.
Problematikë, sipas tyre, qëndron edhe mosgjetja e banesave me qira që i ka detyruar të strehohen edhe në periferi, ndërsa nisja e vitit të ri arsimor penalizon fëmijët e tyre për të frekuentuar shkollat ku janë të regjistruar pranë vendbanimeve të mëparshme.
Një pjesë e familjeve janë larguar nga pallati i cili i përket rajonit numër 3, por ka edhe familje të cilët janë rikthyer për të jetuar në godinën e dëmtuar, pasi nuk ka përgjigje nga asnjë institucion për godinën nëse do të shembet apo rindërtohet, pavarësisht se tashmë janë lëvruar dhe grantet për rindërtim./ A2 CNN