Firmosja e formalizimit të marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit, po shihet si hap i rëndësishëm nga analisti Arton Demhasaj, pasi siç thotë ai ky veprim mund të shfrytëzohet për të sjell njohje të reja për Kosovën, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i organizatës “Çohu”, Demhasaj në një prononcim për Ekonomia Online, tha se rreziku i vetëm nga kjo njohje janë shtetet islamike, për shkak të ndikimit të madh që ka Serbia te këto shtete.
“Mendoj që kjo është një njohje tejet e rëndësishme për shkak se ne dimë se çfarë ndikimi ka shteti i Izraelit në shumë vendet e botës perëndimore, kështu që unë mendoj që këtë njohje Kosova duhet me përdorë në aspektin pozitiv sepse kur të njehë një shtet i fort si Izraeli, pastaj mund të shkosh të kërkosh njohje nga shtetet e vogla, të cilat mund ta ndjekin një rrugë të tillë”, tha ai.
“I vetmi rrezik i kësaj njohje janë shtete islamike, po duke marr parasysh që një pjesë e shteteve islamike kanë raporte të mira me Izraelin dhe gjithashtu nuk është që Kosova ka raporte të mira me vende të caktuara të konferencës islamike për shkak të ndikimit serb të madh që është në atë konferencë, unë mendoj që kjo është një njohje tepër e rëndësishme dhe mendoj që Kosova duhet me përdorë këtë njohje që më vazhdua menjëherë lobimin tek vendet të cilat kanë dyshime ose kanë tendenca që me njoftë Kosovën që me përdorë këtë vrull të kësaj njohje për me pas edhe njohje të tjera përndryshe vet fakti, se marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si një prej miqve kryesor që e ka Kosova me Izraelin dhe ndikimi që ka ardhur pikërisht prej Shtëpisë së Bardhë dhe ish-presidentit Trump që Izraeli me njoftë Kosovën, mendoj që kjo tregon rëndësinë e kësaj njohje”, u shpreh tutje ai.
Më 4 shtator të vitit 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Washington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Ato u ndërmjetësuan nga i dërguari i atëhershëm i Trumpit për dialogun, Richard Grenell.
Me marrëveshjen e nënshkruar në Washington, Kosova është zotuar se do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe se do ta hapë misionin e saj diplomatik në Jerusalem, ndërsa Serbia është zotuar se do ta zhvendosë ambasadën e saj ekzistuese në Izrael nga Tel Avivi në Jerusalem.