Qveria Kurti do të obligohet të merret më dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas formimit të institucioneve edhe pse dialogu s’është prioritet për Kurtin, ka vlerësuar Arton Demhasaj nga organizata “ÇOHU”, një prononcim për Ekonomia Online.
Ai shprehet se për vazhdimin e dialogut ndaj Kurit do të ketë presione nga Bashkimi Evropian dhe Washingtoni.
“Pa marrë parasysh se çfarë qasje ka Kurti ndaj dialogut është e pashmangshme që do të obligohet në një mënyrë me u marr me dialogun sapo të konstituohen institucionet e Kosovës. Nuk besoj se do të ketë presion vetëm nga Brukseli po edhe nga Washingtoni që sa më parë me u rikthy në procesin e dialogut me tendencë të përmbylljes së këtij procesi shumëvjeçar” është shprehur ai.
Kurti është deklaruar se nuk e ka prioritet dialogun, por ekonominë dhe drejtësinë, pavarësisht se siç ka deklaruar ai s’do t’i shmanget procesit dialogues me Serbinë.
Sipas vlerësimit të Kurtit dialogu s’është në mesin e pesë prioriteteve as për qytetarët. Që dialogu s’është prioritet për shoqërinë kosovare e thotë dhe Demhsaj, por sipas tij, pas formimit të Qeverisë së Re do të jetë e domosdoshme rifillimi i dialogut.
“Në aspektin e prioriteteve të shoqërisë nuk ekziston si prioritet dialogu, janë shumë çështje tjera që lidhen si prioritet. Duke marrë parasysh qështjet që lidhen me politikat ndërkombëtare ose politikën e jashtme dhe presionin që ekziston nga faktori ndërkombëtar për t’u përmbyllur procesi i dialogut mendoj që ka me qenë e domosdoshme që Qeveria sapo të krijohet të fillojë të përgaditet për tu marrë me dialogun. Me tendencë që të arrihet një marrëveshje finale e që synimi duhet gjithmon të jetë njohja reciproke mes Serbisë dhe Kosovës” ka thënë ai.
Për deklaratat e Kurit se dialogu, s’do të jetë prioritet ka pasur reagime dhe nga Bashkimi Evropian, zyrtarë të së cilës kanë bërë thirrje që ky proces duhet të vazhdojë pas formimit të institucioneve.
Përveç dialogut me Serbinë, zyrtarë të Vetëvendosjes parti kjo e cila pritet ta formojë Qeverinë pas fitores në zgjedhjet e 14 shkurtit, kanë thënë se s’do ta shtyjnë përpara as zotimin e marrëveshjeve të Washingtonit të firmosura nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.
Por sipas Demhasaj është e vështirë të pengohet zbatimi i Marrëveshjes së Washingtonit.
“Mosshtyerja para e Marrëveshjes së Washingtonit do të jetë kogja e vështirë, me pengu atë marrëveshje. Ajo është një lloj zotimi i nënshkruar nga dy palët, ku pala e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe pala e Kosovës e kanë marrë zotimin në atë letër ose marrëveshje çfarëdo që ta quajmë dhe mendoj që është problem ndalja e zbatimit të saj. Ne e kemi parë që një pjesë e asaj marrëveshje veç ka filluar të zbatohet siç është njohja nga Izraeli, nënshkrimi i disa marrëveshjve për investime amerikane në rajon” është shprehur ai.
Anëtarja e Kryesisë së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se Qeveria e ardhshme që synohet të krijohet me Albin Kurtin në krye, nuk do të shtyjë përpara pikat e zotimeve të firmosura në Washington nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti. Haxhiu nuk pret të ketë ndonjë presion nga SHBA-ja për këtë. “Në ato zotime është vetëm pika e fundit e rëndësishme, njohja nga Izraeli. Sikur ajo listë të kthehej mbrapsht dhe të merrej si pikë e parë njohja dhe aty të ndalej gjithçka. Pikat tjera nuk shkojnë në favor të Kosovës. Çështja e Ujmanit, fuqizimi ekonomik i Serbisë, heqja dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare … këto çështje nuk do t’i shtyjmë përpara”, ka thënë ajo.
Por, Demhasaj ka thënë se Marrëveshja e Washingtonit mund të mos gjejë zbatim vetëm nëse administrate Biden shfaqë ndonjë mospajtim për të.
“Për faktin që është ndërruar administrata në Washington mbetet të shihet se a do të jetë qëndrimi i njëjtë si administratës së re Biden karshi kësaj marrëveshje apo jo. Nëse ka ndonjë tendencë sado të vogël që administrata Biden nuk pajtohet me përmbajtjen e asaj marrëveshje që unë dyshoj se ka me pas atëherë nuk kemi rrugë tjetër pos të merremi me zbatimin e saj dhe nuk mund ti kundërvihemi marrëveshjes” ka përfunduar ai për EO.