Analisti politik, Arton Demhasaj, thotë për Ekonomia Online se Kosova rrezikon të sanksionohet sërish nëse nuk implementohet marrëveshja e Brukselit, e cila sot i ka bërë një vit. Ai thotë se ashpërsimi i masave mund të bëhet edhe nga ShBA-ja.
Demhasaj thotë se obligime në këtë marrëveshje ka edhe Serbia, andaj ndëshkimi mund të vlejë edhe për palën serbe.
Sipas Demhasajt, Kurti ka refuzuar propozimet për dinarin duke shtuar se nuk i ka dhënë asnjë garanci për të çuar përpara draft-statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Po normalisht mund të kemi masa të reja në rast se nuk lëvizet në implementim të marrëveshjes ekzistuese të Brukselit dhe njëkohësisht të aneksit të Ohrit e cila flet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kështu që në rast se Kosova nuk i kryen obligimet e saja që nuk i ka të parapara me këto dy dokumente normalisht atëherë se mund të ketë ashpërsim të masave edhe nga BE ose edhe eventualisht ndonjë mase që mund të merret nga ShBA por që kjo tashmë nuk vjen vetëm në drejtim të Kosovës por edhe në drejtim të Serbisë. Nëse edhe Serbia nuk i implementon pjesët e saj për marrëveshjen, përpos tjerash kjo e bllokon Kosovën për shkak se Kosova po pretendon me u anëtarësu në KE, po pretendon shpejt me e bë një marrëveshje paqeje me NATO-n, njëkohësisht ka dorëzuar aplikacionin për BE pra krejt këto procese që Kosova i ka filluar ose dëshiron me i fillu janë të pakuptimta dhe të pamundura pa ndihmën e ShBA dhe partnerëve tjerë evropian”, thotë Demhasaj, teksa komenton edhe vizitën e fundit të emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Thotë se kjo ka të bëjë më shumë me kërkesën e ndërkombëtarëve që të shtyhet Rregullorja e BQK-së për dinarin serb.
“Mendoj se kjo ka lidhje kryekëput me kërkesat e amerikanëve por edhe evropianëve sa i përket shtyrjes së rregullores së BQK-së për dinarin që me i dhënë hapësirë implementimit të marrëveshjes që nënkupton edhe procedurat për themelimin e Asociacionit nga ana jonë. Kështu që më shumë gjasë, temë kryesore e diskutimit ka me qenë edhe çështja e dinarit me pretendimin që mund të gjendet një zgjidhje që mund ta shtyjë zbatimin e rregullores për një kohë të caktuar edhe që i hap kohë dialogut”, thotë Demhasaj.
Më tej, deklaroi se gjasat që gjatë ditës së sotme mund të ketë ndonjë nënshkrim marrëveshje janë të mëdha.
“Gjasat janë që mund të ketë marrëveshje e mbetet me u pa. Fakti që kryeministri Kurti para se të takohej me Escobar lëvizi sa i përket pronave të Manastirit të Deçanit, kjo mund të jetë një indicie që mund të lëvizë tash në takimin e nesërm në Bruksel sa i përket shtyrjes se dinarit por mbetet të shihet”, thotë ai.
Ndërsa sa i përket çështjes së dinarit, sipas Demhasajt kritika bie në mënyrën e moskoordinimit me ndërkombëtarët. Thotë se sovraniteti nuk forcohet pa ndihmën e partnerëve.
“Mendoj se as sovraniteti në veri dhe as sovranitetin e jashtëm nuk mundesh me e forcu pa ndihmën e këtyre partnerëve, prandaj mendoj se duhet me pas koordinim më të mirë Qeveria, d.m.th pjesa diplomatike duhet me funksionu më mirë dhe koordinim me pas më të qartë dhe normalisht edhe bashkëpunim sidomos me ShBA por edhe me BE”, thotë ai.
“Deklaratat e Escobar kanë qenë shumë të ashpra pra nuk e ka thënë se vetëm ShBA kanë problem në komunikim dhe në partneritet me Kosovën por e ka thënë se ka edhe NATO-ja, Brukseli madje Londra dhe Tirana kështu që një situatë e tillë kur Kosova ka mungesë të komunikimit të duhur me krejt partnerët kryesorë e që e ndihmojnë Kosovën mendoj se është problem shumë i madh dhe normalisht se pa këta partnerë Kosova nuk kish mujt as me u çlirua dhe me u bë shtet edhe njëkohësisht nuk do të mundet as me e forcu sovranitetin pa këta partnerë”, shtoi ai.