Demhasaj: VV-ja nuk duhet pranuar assesi një pazar politik për çështjen e presidentit

Prishtinë | 30 Tet 2019 | 14:37 | Nga Ekonomia Online

Dy subjektet politike të cilat dolën partitë e para në zgjedhjet e 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje (VV) e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mund të rrezikojnë mundësinë e marrëveshjes, nëse do të ketë vendosshmëri nga ana e LDK-së për të siguruar që nga kjo fazë emrin e presidentit.

Në një prononcim Arton Demhasaj nga Organizata “Çohu”, i tha GazetësBlic se tema e diskutimit që po flitet se është bërë nga grupet punuese ne lidhje me çështjen e pozitës së presidentit tregon se edhe në këtë koalicion po përpiqet të ketë pazare politike.

“Duke marrë parasysh që momentalisht presidenti ka mandat të paktën edhe një vit e gjysmë dhe nëse fillohet qysh tani me u bë pazar politik siç është bërë në të kaluarën dhe të bëhet edhe në këtë koalicion pozita e presidentit sipas Kushtetutës parashihet që presidenti të jetë dikush i paanshëm dhe që ruan nivelin politik në vend dhe në një mënyrë krijohet përshtypja se pazaret që janë bërë nga koalicionet në të kaluarën po fillojnë edhe me këtë koalicion”, ka thënë Demhasaj.

Ai tha se VV-ja nuk duhet në asnjë mënyrë të pranoj një pazar të tillë edhe nëse rrezikohet krijimi i koalicionit dhe LDK-ja të ngul këmbë.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk duhet pranuar assesi një pazar të tillë sepse në vazhdimësi e ka kundërshtuar që presidenti të jetë një njeri nga partitë politike sepse nuk mund të jetë më i paanshëm dhe nuk mund te jetë në rol të nivelit politik dhe nuk duhet pranuar tash për tash të bëhet pjesë e diskutimeve në këtë koalicion edhe çështja e presidentit”, tha Demhasaj.

“Mundet me u prish nëse LDK-ja ngul këmbë që pozita e presidentit duhet të negociohet dhe të vendoset në një marrëveshje të koalicionit që mund të arrihet tani, mund të jetë kjo arsye që mos me u arrit koalicioni dhe vendi të shkoj në zgjedhje”, shtoi ai.

Demhasaj tha se nëse nuk arrihet një marrëveshje dhe vendi shkon përsëri në zgjedhje, LDK-ja do të ketë humbje të madhe, ndërsa VV-ja do të kishte fitore të madhe në elektorat për shkak të mos nënshtrimit ndaj kërkesës së LDK-së.

“Duhet ditur se nëse LDK-ja vendos kusht pozitën e presidentit për të arritur koalicionin dhe e pamundëson për shkak të presidentit, atëherë në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbaheshin menjëherë pas kësaj, LDK-ja do humbte shumë në elektorat dhe VV-ja do të fitonte shumë për këtë arsye”, shtoi ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme