Demi-Murtezi: Askush nuk reagoi për sulmin ndaj xhamisë në Novobërdë

Prishtinë | 19 Pri 2017 | 11:25 | Nga

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë së Drejtësisë, Labinotë Demi-Murtezi, ka ngritur shqetësime për sulmin e xhamisë në Novëbërdë nga qytetarët serbë.

Ajo ka thënë se nëse do të kishte ndodhur nga qytetarët shqiptarë një sulm i tillë atëherë institucionet tona do të reagonin.

“Në aktin e dhunës e të terrorit të shkaktuar, ky qytetar kishte demoluar në masë të madhe objektin e një shkolle, objektin e xhamisë së fshatit, si dhe një ambulancë private. Krejt kjo ndodhi në ditën kur në vendin tonë u dha alarmi për brishtësinë e gjendjes së sigurisë në vend, respektivisht në prag të festës së Pashkëve kur policia e Kosovës ishte e koncentruar për mbikëqyrje kryesisht pranë kishave”, tha ajo.

“Personi që kishte kryer këtë akt terrorist, nuk ishte hera e parë që vepronte diçka të tillë, sipas burimeve të policisë. Ndërsa ne jemi mësuar që sa herë që komunitetit serb u mbetet hatri nga ndonjë fjalë e jona, përfaqësuesit tanë shtetërorë përkujdesen që t’u shtohet një dozë imuniteti, duke thënë ta ruajmë kushtetutshmërinë dhe ta kultivojmë tolerancën ndëretnike e ndërfetare. Çuditërisht, për rastin e lartpërmendur nuk dëgjuam as edhe një deklarim të vetëm për ta dënuar këtë akt terrorist”, ka shtuar ajo.

Deputetja Demi-Murtezi, gjithashtu ka bërë të ditur se komuniteti serb nuk ka respektuar ditën e Kushtetutës së vendit.

“Në ditën kur të gjitha institucionet e vendit po pushonin për respektimin e ditës së Kushtetutës, derisa po vija nga Gjilani në Prishtinë, pashë shumë nxënës në Graçanicë që shkonin në shkollë e ktheheshin nga shkolla. Kjo tregon se ky komunitet, as nuk respekton ditën-festën e Kushtetutës së vendit, por as pushimin pranveror të paraparë nga Ministria e Arsimit e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme