Demi: Në dy dekadat e fundit u shpenzuan 180 milionë euro në aplikim për viza

Prishtinë | 12 Tet 2022 | 16:36 | Nga Ekonomia Online

Në 20 vjetët e fundit rreth 180 milionë euro janë shpenzuar për aplikim për viza nga kosovarët, ka thënë Agron Demi nga Instituti GAP.

Demi, të martën, ka publikuar të dhënat e një raporti ku gjatë viteve 2010-2012, kosovarët kishin shpenzuar 9.1 milionë euro për aplikim për viza.

E sipas një raporti tjetër, gjatë viteve 2016-2021 janë shpenzuar 89 milionë euro.

Demi ka përllogaritur një mesatare për vitet që mungojnë në studim dhe sipas, tij del se janë shpenzuar 180 milionë euro për aplikim për viza në dy dekadat e fundit.

“Sipas një raporti të GAP&GLPS (2013), në periudhën 2010-2012, kosovarët kanë shpenzu 9.1 milionë euro për aplikim për viza. Sipas një raporti më të ri të BPRG, në periudhën 2016-2021 janë shpenzu edhe 89 milionë euro. Nëse e marrim mesataren e këtyre viteve dhe e aplikojmë për vitet që mungojnë në këto dy studime, del se në dy dekadat e fundit janë shpenzu rreth 180 milionë euro vetëm për aplikim për viza”, ka shkruar Demi në Facebook.

Ditët e fundit në vend është diskutuar mbi harxhimet e kosovarëve në aplikimet për viza, ndërsa debati për liberalizimin e vizave vazhdon qe disa vite. Të martën, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se është padrejtësi e madhe që ende qytetarët e Kosovës nuk mund të udhëtojnë lirshëm nëpër Evropë.

Ndërkohë është thënë se javët dhe muajt e ardhshëm pritet të jenë vendimtare për procesin e liberalizimit të vizave.

Të ngjashme