Organizatat e shoqërisë civile, të cilat angazhohen për sundim të ligjit dhe qeverisje të mirë, e mirëpresin reagimin e Ambasadës Amerikane në Kosovë në lidhje me dështimet e drejtësisë kosovare kundër aferave të korrupsionit të lartë.
Në komunikatën e “Democracy Plus”, thuhet se kjo ambasadë veçoi disa nga rastet me aferat korruptive më të mëdha si: Pronto, Vizat Italiane, Ikja nga burgu i Dubravës dhe Apex, disa prej të cilave kanë marrë vendim nga gjykata e disa të tjera janë në proces.
“Duke parë që sistemi i drejtësisë vendore nuk po funksionon, Ambasada Amerikane vendos që të konsideroj ndëshkime për marrje të vizave për personat e përfshirë në këto raste. Fakti që Ambasada Amerikane në komunikatën e saj përmend edhe rastet e mbyllura, na rikujton promovimin e kulturës së pandëshkueshmërisë dhe pastrimin e figurave përmes lirimit të tyre nga përgjegjësia penale duke shfrytëzuar sistemin e drejtësisë”, thuhet në reagim, përcjell Telegrafi.
“Shoqëria civile dhe mediat në vazhdimësi po ngrisin dyshime për raste korruptive, mirëpo ato dyshime të bazuara po shkojnë qoftë pa u hetuar fare, në raste të caktuara duke u përfaqësuar në mënyrë jo-profesionale në gjykatë apo edhe duke mos u administruar drejtësia në bazë të procedurës, fakteve dhe ligjit”.
Sipas rrjetit të OJQ-ve, praktika e deritanishme dëshmon se edhe në ato raste që hetuar, ndjekur penalisht dhe gjykuar kanë përfunduar me gjykime liruese apo dënime që nuk përkojnë me peshën dhe dëmin që korrupsioni është duke i shkaktuar shoqërisë dhe shtetit të Kosovës. “Në fakt, këto gjykime vetëm sa i kanë nxitur zyrtarët publik që të praktikojnë veprime korruptive për përfitime personale dhe grupore. Për më tepër, edhe dënimet në raste të caktuara po janë shumë të ulëta dhe njerëzit e dënuar po kthehen shpejt në institucione publike në pozita edhe më të larta se sa që kanë pasur para dënimit, siç patëm këto ditë edhe rastin kur një i dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare u punësua si zyrtar ligjor në Ministrinë e Inovacionit”.
“Sistemi i drejtësisë, përpos investimeve të mëdha dhe rritjeve të vazhdueshme të rrogave, po dështon në vazhdimësi që të sanksionoj korrupsionin dhe krimin e organizuar që tashmë po bëhet hapur në Kosovë. Nuk është krejt e rastësishme pse kemi mbetur populli më i izoluar në Evropë dhe pse investimet e jashtme kanë rënë viteve të fundit në Kosovë. Korrupsioni dhe stimulimi i tij ka një meritë të veçantë për këto”.
Më tje thuhet se reagimi i Ambasadës duhet të na shërbej gjithë neve, por sidomos për ata policë, prokurorë dhe gjykatës me integritet për të ngritur zërin dhe marrë guximin për sfidën e radhës e që, përpos gjithë problemeve tjera, qartazi është lufta aktive kundër korrupsionit të brendshëm në sistemin e drejtësisë dhe korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.
“Andaj, ne edhe një here bëjmë thirrje që kjo shoqëri të mos privohet nga një sistem drejtësisë që merr vendime meritore dhe të drejta”, thuhet në kumtesë. /Telegrafi/