Demokraci Plus: Termokos kufizoi konkurrencën në tenderin 2.4 milionësh, lidhi kontratë 233 mijë euro më të shtrenjtë

Prishtinë | 25 Jan 2024 | 17:21 | Nga Ekonomia Online

Organizata Demokraci Plus (D+), e cila monitoron prokurimin publik në disa ndërmarrje publike, ka konstatuar parregullsi në tenderin e hapur nga “Termokos” lidhur me e ndërtimit të objektit administrativ të saj.

Sipas D+, “Teromosi” vendosir kritere që përjashtonin shumë kompani dhe nga 99 operatorë që shkarkuan Dosjen e Tenderit, vetëm një i plotësoi kriteret dhe u shpërblye me kontratë që ishte për 233,753.60 euro më shumë sesa vlera e parashikuar, raporton Ekonomia Online.

“Termokos hapi tenderin për ndërtimin e objektit të ri administrativ në vlerë të parashikuar të kontratës 2.2 milionë euro, duke kërkuar nga operatorët ekonomikë që të jenë të pajisur me certifikatën OHSAS 18001. Ky autoritet kontraktues refuzoi kërkesën e operatorëve ekonomikë për largimin e këtij kriteri, duke thënë se të gjitha kompanitë mund të pajisjen me këtë certifikatë”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.

Tutje kjo certifikatë, si kriter i kërkuar thuhet se ishte e vlefshme deri në vitin 2018, kur u zëvendësua plotësisht me ISO 45001:2018, ndërsa kompanitë e certifikuara sipas OHSAS 18001, kishin kohë që deri me 31 mars, 2021 të dilnin në ISO 45001, datë pas së cilës këto certifikata nuk ishin më të vlefshme.

Përveç vendosjes së këtij kriteri, i cili ishte i pamundur të plotësohej, “Termokos” shkurtoi afatin për dorëzimin e ofertave në 20 ditë.

“Nga 99 operatorë që shkarkuan Dosjen e Tenderit, tre dorëzuan oferta, teksa vetëm një u vlerësua se kishte plotësuar kriteret, ofertues me të cilin “Termokos” lidhi kontratë për 2.4 milionë euro, apo 233,753.60 euro më shumë se që ishte vlera e parashikuar”, thuhet mes tjerash në reagimin e Demokraci Plus.


Të ngjashme