Demokracia Plus kërkon kufizim të numrit të zv.ministrave në dy për ministri

Prishtinë | 03 Kor 2020 | 11:42 | Nga Ekonomia Online

Organizata Demokraci Plus, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që numrin e zëvendësministrave ta zbres në 2, në secilën ministri.

Sipas D+, sot bëhet një muaj nga zgjedhja e Qeverisë Hoti, brenda së cilës periudhë janë emëruar 46 zëvendësministra në kuadër të 16 ministrive.

“Numri i zëvendësministrave për ministri shkon nga një deri në pesë, por që ky numër pritet të rritet duke pasur parasysh që si proces nuk është përmbyllur ende. Nga numri i përgjithshëm i zëvendësministrave të emëruar, vetëm 7 janë gra apo 15% dhe 39 burra apo 85%. Për më tepër, vendimet e Qeverisë për emërimin e këtyre zëvendësministrave nuk janë publike, si dhe emrat e tyre nuk janë publikuar në ueb faqet zyrtare të ministrive përkatëse”, thotë D+.

D+ shton se gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, LDK përmes kandidates së saj për kryeministre, ka nënshkruar Deklaratën e Zotimeve për Qeverisje të Mirë të hartuar nga Demokraci Plus.

“Përmes kësaj deklarate, LDK është zotuar në kufizimin e numrit të zëvendësministrave në maksimumi dy për ministri. Ky ka qenë edhe premtim elektoral, të cilin kërkojmë nga LDK si udhëheqëse e Qeverisë që t’i përmbahet. Kufizimi i numrit të zëvendësministrave, përveçse do të reduktojë shpenzimet financiare në këtë kohë të krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19, ne besojmë se do të ndikojë edhe në rritje të efikasitetit të qeverisë, eliminimit të praktikës së punësimeve klienteliste, dhe vet ruajtjes së integritetit të pozitës së zëvendësministrit e cila po devalvohet nga emërimet e personave të pakualifikuar dhe mbipopullimit”, thotë tutje D+.

Në këtë drejtim, D+ kërkon:

Të mos emërohen më shumë se dy zëvendësministra për ministri;

Mos të ketë zëvendësministra nga subjekti politik i njëjtë me ministrin;

Të mos ketë zëvendësministra nga i njëjti subjekt politik brenda një ministrie;

Zëvendësministrat të kenë portofol të caktuar;

Zëvendësministrat të jenë persona me integritet të lartë profesional dhe moral;

Të garantohet përfaqësim i barabartë gjinor për pozitat e zëvendësministrave;

Të publikohen me kohë të gjitha vendimet për emërime të zëvendësministrave;

Të azhurnohen të gjitha ueb faqet e ministrive me emrat dhe të dhëna biografike për zëvendësministrat.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme