Demokraci Plus ka publikuar analizën në lidhje me problemet kryesore në zbatimin e planeve vjetore të prokurimit publik në ndërmarrjet publike, raporton Ekonomia Online.
Në këtë analizë është monitoruar përqindja e zbatimit në praktikë të planeve vjetore të prokurimit, duke matur numrin dhe vlerën e kontratave të hapura në raport me kontratat e planifikuara për periudhën gjashtë mujore, të tri ndërmarrjeve publike: Ndërmarrja publike “Gjelbër” (ish-Hortikultura); Ndërmarrja publike “Trafiku Urban” dhe Ndërmarrja hidroekonomike “Ibër Lepenci”.
Hulumtuesi Ardit Dragusha, tha se në bazë të kësaj analize, ka rezultuar se kontratat e planifikuara nuk po arrijnë të zbatohen në praktikë, me pjesën më të madhe të tyre të cilat nuk arrijnë të iniciohen sipas planifikimit fillestar.
Në rastin e ndërmarrjes publike “Gjelbër”, nga 74 kontratat e planifikuara në vlerë 896 749.00 euro, janë hapur vetëm 14, apo vetëm 18.9% të kontratave të planifikuara. Vlera e parashikuara e kontratave të hapura ishte vetëm 10.7% të vlerës së parashikuar për shpenzim për këtë periudhë.
“Përqindja e ulët e këtyre planeve po has në disa probleme, anulimi apo vonesa që dërgon në anulim shkon ne humbje të vendit të punës. Hortikultura, Trafiku Urban, Ibër Lepenci, problemi kryesor është plani vjetor është së ato nuk arrijnë të zbatohen në praktikë me pjesën më të madhe të kontratave të cilat nuk iniciohen sipas planifikimit fillestar”.
“’Hortikultura’ në planin përfundimtar të prokurimit për vitin 2023, planifikoi inicimin e 74 kontratave, në gjashtëmujorin e parë të vitit në vlerë të përgjithshme 896 749.00 euro. Nëse krahasojmë numrin e kontratave të planifikuara, me ato të realizuara nga plani, atëherë del se vetëm 18.9% e planit është realizuar ashtu siç ishte planifikuar”.
“’Trafiku Urban” planifikoi inicimin e 34 kontratave me vlerë të përgjithshme 3 268 981.05, nga numri i kontratave të planifikuara 26.4% u iniciuan, ndërkohë vlera e tyre ishte 7 625 254.47 euro. Ndërsa ndërmarrje Ibër Lepenci në planin përfundimtar të prokurimit planifikoi 32 kontrata në gjashtë mujorin e parë të vitit në vlerë të përgjithshme 1 895 507.00 euro”.
Egzona Kozhani, hulumtuese e prokurimit publik, tha se plani që po prezantohet është udhërrëfyes për institucionet që duhet të bëjnë planifikime jo më pas se 30 ditë para çdo vitit fiskal.
“Zbatimi i planeve të prokurimit promovon menaxhim më të përgjegjshëm të mjeteve financiare, redukton rastet e prokurimeve emergjente apo rastet kur shkurtohet afatet kohore për dorëzim të ofertave”.