Demokratëve në Shtetet e Bashkuara u është dhënë një goditje e madhe në përpjekjet e tyre për të thirrur dëshmitarë në gjyqin ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, raporton REL.
Ata kishin nevojë për katër vota të senatorëve republikanë, për të votuar në mënyrë që të lejohet paraqitja e dëshmitarëve, por njëri nga senatorët tha se nuk do ta mbështes kërkesën e demokratëve.
Senatori, Lamar Alexander, tha se demokratët e kanë dëshmuar se Trump kishte vepruar në mënyrë të papërshtatshme, por kjo nuk ishte një vepër për shkarkim.
Njoftimi i hap rrugën lirimit të mundshëm të presidentit nga Senati qysh ditën e premte.
Në Senatin me 100 ulëse, gjenden 52 republikanë.
Për çfarë akuzohet Trumpi?
Presidenti amerikan akuzohet për abuzim të pushtetit në lidhje me veprimet e tij kundrejt Ukrainës, si dhe për pengim të punës së Kongresit, i cili menjëherë ka nisur hetime lidhur me veprimet e Trumpit.
Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë thënë se Trump ka pezulluar ndihmën ushtarake në vlerë të 400 milionë dollarëve për Ukrainën, dhe ftesën për vizitë në Shtëpinë e Bardhë për presidentin e ri ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, duke i kërkuar Kievit që të nisë hetime kundër një rivali politik.
Trump ka kërkuar nga Ukraina të hetojë Joe Bidenin, i cili është aktualisht një prej kandidatëve kyçë në garën e demokratëve për ta sfiduar Trumpin.
Përveç ish nën-presidentit amerikan, Trump ka kërkuar hetime edhe për djalin e Bidenit, Hunter.
Trump i ka mohuar akuzat dhe gjyqin ndaj tij e ka quajtur “gjueti shtrigash”.