Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar pas shqiptimit të dënimit me nga katër vjet e gjysmë burgim nga Gjykata Speciale për ish-krerët e OVL UÇK-së, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati, duke thënë se drejtësia, për të cilën tha se i kanë besuar, duhet ta gjejë rrugën e saj.
“Në rrethana e krijuara sot, pas dënimit të tyre nga Gjykata Speciale, bashkëndjejmë me familjet Gucati e Haradinaj. Drejtësisë i kemi besuar dhe drejtësia, pashmangshëm, herëdokur, duhet dhe do ta gjejë rrugën e vet të vërtetë”.
Krasniqi ka shkruar se liria e popullit tonë nuk është falur, por është fituar me gjak e sakrificë dhe lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, përballë një agresori pushtues e të pamëshirshëm, i cili ka provuar ta zhbëjë identitetin dhe ekzistencën tonë.
“Kjo është e vërteta mbi të cilën na ka mbështetur qytetërimi perëndimor dhe bota demokratike dhe pjesë e kësaj të vërtete janë edhe Hysni Gucati e Nasim Haradinaj. Kjo e vërtetë nuk mund të ndryshohet e as nuk bën të harrohet”, ka shkruar Kransiqi.