Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve për kontrabandim me armë dhe tregti të ndaluar Izedin Mjezini, Vesat Imeri, Nexhip Gashi, Besim Sylejmani, Sylë Sulejmani, Naim Abrashi dhe Armend Iljazi, duke i dënuar me 20 vjet burgim dhe 42 mijë euro gjobë.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarve është shpallur të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues Lutfi Shala, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit, i akuzuari Izedin Mjezini është dënuar me 2 vite burgim dhe 10 mijë euro gjobë, të cilit sipas këtij vendimi do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak 26 ditëve.
I akuzuari Vesat Imeri është dënuar me 4 vite burgim dhe 15 mijë euro gjobë, të cilit sipas këtij vendimi do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej 3 muajve.
Të akuzuarit Nexhip Gashi i është shqiptuar dënimi me burgim prej 4 vitesh dhe 15 mijë euro gjobë, të cilit sipas këtij vendimi do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak prej 26 ditëve.
Të akuzuarit Besim Sylejmani i është shqiptuar dënimi me burgim prej 2 vite e 8 muaj, të cilit sipas këtij vendimi do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej 7 muajve e 24 ditë.
I akuzuarit Sylë Sylejmani është dënuar me dënim me burgim prej 2 viteve e 8 muaj, të cilit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak prej 8 muaj e 8 ditë.
Ndërsa, i akuzuari Naim Abrashi është dënuar me dënimin me burgim prej 2 viteve dhe me dënimin me gjobë në shumë prej dy mijë euro, të cili sipas këtij vendimi do t’i llogaritet edhe koha kaluar në paraburgim prej 2 muaj e 7 ditë.
Kurse, i akuzuari Armend Iljazi është dënuar me dënimin prej 2 vite e 8 muaj burgim, të cilit sipas këtij vendimi do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Po ashtu, me këtë vendim gjykata ka konfiskuar medikamentet e lustruara, 99 pistoleta dhe 723 fishek.
Ndërsa, të akuzuarit Izedin Mejzini shuma prej 12 mijë e 300 euro të sekuestruara dhe Besim dhe Sylë Sylejmanit veturat dhe 5 mijë euro të sekuestruara, iu janë kthyer pasi sipas gjykatës nuk ka bazë për konfiskim.
Po ashtu, secilin veç e veç gjykata i ka obliguar që të paguajnë edhe shpenzimet e procedurës në shumë prej 200 euro, si dhe paushallin gjyqësor në vlerë prej 100 euro, të gjitha këto në afat prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Gjykatësi Shala tha se palët e pakënaqura kundër këtij vendimi, kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit në afat prej 15 ditëve.