Tre burra, punëtorë në një qebaptore, janë dënuar me nga dy vjet burgim në Britani të Madhe për rrahjen e një personi për të cilin menduan se ishte hajdut.
Zafar Ahmed, bashkë me vëllezërit, Asmat Khan dhe Mohammed Khan, e kishin qëlluar vazhdimisht me grushte e shqelma Adrian Perry-n dhe më pas e kishin goditur edhe me një kon trafiku.
Perry ishte sulmuar për 15 minuta para se policia të arrinte në vendin e ngjarjes dhe ta gjente pa vetëdije në trotuarin pranë qebaptores, shkruan Metro UK, transmeton Gazeta Express.
Ai ishte dërguar në spital për t’u trajtuar për thyerje të ashtit të fytyrës afër syrit, asht të thyer të faqes, nofull të thyer dhe krah të thyer.
Tre sulmuesit ishin arrestuar në vendin e ngjarjes dhe kishin pranuar se i kanë shkaktuar lëndime trupore personit për të cilin dyshonin se ishte hajdut. Ata u dënuan me dy vjet burgim.
Perry asnjëherë nuk ishte akuzuar për vjedhje dhe policia nuk është duke zhvilluar hetime kundër tij.
Pasi e kishin rrahur, të dënuarit e kishin urdhëruar viktimën që të qëndronte në këmbë para se ta godisnin aq fort nga prapa, saqë ai kishte rënë përsëri në dysheme.