Dënohet me 10 vjet burgim i akuzuari për tentim-vrasjen në “Marigona”

Prishtinë | 23 Maj 2019 | 11:49 | Nga Ekonomia Online

Faton Fetiu i cili është akuzuar për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje është dënuar me 10 vjet burgim.

Ai është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për rastin që kishte ndodhur më 13 shkurt 2018, në lagjen “Marigona”, për të cilin rast ai akuzohej se kishte tentuar të provonte nga jeta gjinekologun Premtim Gojani, si dhe bashkëshorten e tij, Afërdita Gojani.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, i akuzuari Fetiu për veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë është dënuar me nëntë vjet burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje, është dënuar me dy vjet burgim.

Më pas, ndaj tij është shqiptuar dënim unik prej 10 vjetësh burgim, shkruan Betimi për Drejtësi, transmeton Klan Kosova.

Atij i është vazhduar masa e paraburgimit, ndërsa i janë konfiskuar armët, me të cilat i ka kryer veprat penale.

Aktakuza thotë se me dashje ka vënë në rrezik edhe jetën e një personi tjetër, Donika Gojanit.

Sipas aktakuzës, e gjithë kjo për shkak të një borxhi të pretenduar nga i pandehuri, që gjoja ia kishte pasur tani i ndjeri Nazmi Gojani, babai i Premtim Gojanit.

Akti akuzues, thotë se derisa Premtim Gojani, së bashku me vajzën e tij, Donika Gojani, ishin duke dalë nga shtëpia për të shkuar në punë, para tyre i pandehuri Faton Fetiu ka dalë dhe nga xhepi ka nxjerrë një elektroshok për ta sulmuar Premtim Gojanin, por pastaj në mes të tyre ka ndërhyrë vajza e Gojanit, për ta mbrojtur babanë e saj.

Sipas aktit akuzues, i pandehuri ka nxjerrë revolen dhe ka shtënë në drejtim të Premtim Gojanit, të cilin e ka qëlluar në trup në anën e djathtë në brinjë, i njëjti ishte rrëzuar në tokë dhe vajza e tij Donika Gojani, për ta mbrojtur është shtrirë mbi trupin e tij dhe e ka përgjëruar të pandehurin që të mos qëllojë me armë.

Më pas, thuhet se ka dal nga dera e shtëpisë bashkëshortja e të dëmtuarit, Afërdita Gojani, dhe ka thënë “Ndal, çka bëre o Faton”, kurse i pandehuri i është drejtuar duke i thënë “a ju kam thënë se kam me ju mbyt të gjithëve” dhe më pas ka shkrepur revolen dy herë në drejtim të Afërdita Gojanit, por nuk e ka qëlluar, e ka vazhduar duke u afruar tek Premtim Gojani, e duke i thënë a je hala gjallë e duke e sharë, e më pas e ka goditur të njëjtin në anën e majtë nën sqetull afër zemrës, më pas në kokë.

Aktakuza, gjithashtu thotë se derisa e dëmtuara Donika Gojani, ka qenë e shtrirë mbi trupin e të dëmtuarit për ta mbrojtur, të njëjtën me predhën e fishekut të armës, i pandehuri e ka qëlluar në shpinën e dorës së majtë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme