U dënua me 5 mijë euro gjobë i akuzuari Dardan Hoxhaj, pasi një ditë më parë pranoi se kishte ushtruar ndikim në vendimmarrjen e prokurores në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, Ervehe Gashi.
Aktgjykimi ndaj tij u shpall të premten nga kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismajli, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit, gjobën i akuzuari është i obliguar ta paguajë me dy rata pas plotfuqishmërisë së vendimit, brenda 8 muajve. Në rast të mospagesës, gjykatësi tha se dënimi me gjobë do t’i shndërrohet në dënim me burgim, ku një ditë burg llogaritet 20 euro.
Hoxhaj gjithashtu obligohet të paguajë shumën prej 100 euro për shpenzimet procedurale.
Ndryshe, më 14 tetor është aprovuar marrëveshja për pranimin e fajësisë në këtë rast.
I akuzuar është edhe Bajram Gashi, por ndaj tij është veçuar procedura, pasi ai është deklaruar i pafajshëm për akuzat që i vihen në barrë.
Procedura në fillim ishte veçuar edhe ndaj të akuzuarit tjetër, Rizan Hoxhaj, pasi i njëjti ka arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Ndaj të akuzuarit Rizan Hoxhaj më 7 maj 2021 ishte shpallur aktgjykim me të cilin ishte dënuar me 28 mijë euro gjobë për veprën penale të ushtrimin të ndikimit në bashkëkryerje, duke iu mundësuar që dënimin me gjobë ta paguajë me katër këste brenda afatit një vjeçar, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK më 13 prill 2021, Bajram Gashi dhe Rizan Hoxhaj akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “ushtrimi i ndikimit” nga neni 431, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tetë vjet.
Ndërsa, Dardan Hoxhaj akuzohet për veprën penale “ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 paragrafi 2 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë dhe me burgim deri në pesë vjet.
Siç thuhet në aktakuzë, Bajram Gashi dhe Rizan Hoxhaj gjatë muajit korrik 2017, në zyrën e të akuzuarit Dardan Hoxhaj në rrugën “Ejup Statovci” në Komunën e Prizrenit, në mënyrë të drejtpërdrejtë kishin kërkuar nga Hoxhaj shumën prej 6 mijë euro duke i premtuar se nëse do t’ua paguante ato, i akuzuari Gashi do të ushtronte ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e bashkëshortes së tij, prokurores Ervehe Gashi, e cila ishte prokurore e rastit që ishte duke u zhvilluar ndaj të akuzuarit Dardan në Prokurorinë Themelore në Prizren dhe si rrjedhojë ai nuk do të akuzohej për të gjitha veprat penale që ishte duke u hetuar.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Dardan Hoxhaj, i joshur nga premtimi i të akuzuarve, gjatë muajit korrik të 2017-ës, të akuzuarit Rizan Hoxhaj fillimisht ia dorëzon shumën prej 1 mijë euro, ndërsa më 22 gusht 2017 ia dorëzon edhe shumën prej 5 mijë euro, si shpërblim për të akuzuarit për ndihmën që i kishin premtuar se do ia ofronin.
Ndërsa, Dardan Hoxhaj po akuzohet nga prokuroria se gjatë muajit korrik dhe gusht ia kishte dhënë paratë në shumë prej 6 mijë euro të akuzuarit Rizan Hoxhaj për t’ia dërguar të akuzuarit Bajram Gashit njëherësh bashkëshortit të prokurores Ervehe Gashi, e cila ishte prokuroja e rastit në procedurën penale që po zhvillohej kundër tij, në mënyrë që të ushtronin ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e prokurores dhe i akuzuari Dardan Hoxhaj të mos akuzohej për të gjitha veprat penale që po hetohej.