Një person i dënuar në Itali me 12 vjet e 2 muaj burg për vrasje në bashkëpunim është arrestuar ditën e sotme në aeroportin e Rinasit.
Në pranga nga policia është vënë shtetasi Muhamed (Bledar) Leka, 42 vjeç, banues në Lushnje. Sipas policisë, ky shtetas po tentonte të kalojë kufirin me leje kalimi me të dhëna të falsifikuara.
Në vitin 2003, Gjykata e Lushnjes ka bërë njohjen e vendimit Penal të Gjykatës së Krimeve të Rënda Verona në Itali, e cila e ka dënuar me 12 vjet e 2 muaj burgim për veprën penale “Vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim”, shkruan Top Channel.
Shtetasi Muhamed Leka, erdhi si pasagjer nga jashtë shtetit me Leje Kalimi me emër tjetër, por punonjësit e Policisë Kufitare , gjatë përpunimit të dokumentacionit kanë shfaqur dyshime , dhe pas një intervistimi profesional të kryer nga Specialistët për hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, rezultoi se ishte person në kërkim.