Dyshja e famshme e ekranit të madh, Danzel Washington dhe Julia Roberts, do të vijnë sërish bashkë në filmin e ri të platformës digjitale Netflix.
Aktorët kishin luajtur për herë të parë krahas njëri-tjetrit para 27 vjetëve në filmin “The Pelican Brief”. Tani ata po bashkëpunojnë sërish në dramën me titull “Leave The World Behind”, transmeton Koha.
Sipas portalit “Deadline”, Netflixi e ka fituar të drejtën autoriale për realizimin e filmit të metrazhit të gjatë, i cili do të vijë nën regjinë e Sam Esmailit.
Filmi bazohet në romanin e Rumaan Alam, i cili do të dalë në shitje për publikun e gjerë gjatë kësaj vjeshte.
Që të dy yjet e hollywoodit, Washington dhe Roberts, do të shërbejnë si producentë të këtij projekti, së bashku me regjisorin Esmail dhe autorin e romanit, Alam.
Romani me të njëjtin titull e rrëfen historinë e dy familjeve të cilat detyrohen ta kalojnë një fundjavë së bashku, por gjërat shkojnë jashtëzakonisht keq.
Derisa nuk e kanë ndarë ekranin së bashku nga viti 1993, Washington dhe Roberts, u ribashkuan vitin e kaluar në një ceremoni shpërblyese, kur Julia ia prezantoi aktorit veteran një çmim për arritje jetësore, të cilin ia ndau Instituti i Filmit Amerikan.
Roberts po ashtu ka bashkëpunuar me herët me regjisorin, Sam Esmail, në realizimin e dramës “Homecoming”.