Me qëllim që të gjykoheshin lëndët e korrupsionit të profilit të lartë, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet ligjore për themelimin e Departamentit Special në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Prej themelimit në korrik të këtij viti, gjykatësit e këtij Departamenti Special, kanë marrë në punë 38 lëndë të transferuara nga Departamentet e Krimeve të Rënda, në mesin e tyre edhe katër lëndë të korrupsionit. Në asnjërën prej këtyre katër lëndëve nuk ka profil të lartë të korrupsionit, i cili është duke u gjykuar, ka thënë për emisionin “Betimi për Drejtësi”
Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyci. Sipas saj, në këto lëndë të korrupsionit, profili i të akuzuarëve nuk është profil i lartë.
Aktakuzat në Departamentin Special ngriten nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e cila deri më tash gjatë vitit 2019, nuk e ka ngritur asnjë aktakuzë për korrupsion të profilit të lartë. Për më tepër rreth këtyre lëndëve dhe sfidave të Departamentit Special, ndiqeni intervistën me Kryetaren e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyci.